Përplasja e fortë e Diego Kostës me shtyllën

14/04/2014 00:00

Atletico Madrid arriti të fitonte me rezultatin e pastër 2-0 në fushën e Getafes duke mbajtur sërish 3 pikë larg Realin e Madridit dhe duke vazhduar kryesimin e kampionatit spanjoll.

Golat u shënuan nga Diego Godin në pjesën e parë dhe Diego Costa në fund të ndeshjes, por goli i dytë për pak sa nuk i kushtoi shtrenjtë sulmuesit brazilian të natyralizuar spanjoll.

Ishte minuta e 84-t kur Diego Costa, pasi shtyu topin në rrjetë, u përplas fort me shtyllën e portës në pjesën e kërcirit të këmbës së majtë. Në momentet e para, fytyrat e shokëve të tij që shkuan për ta kontrolluar bënë që të mendohej më e keqja. Filipe Luis kërkoi menjëherë zëvendësimin duke parë të çarën në këmbë, ndërsa Godin vuri duart në kokë.

Diego Costa u largua nga fusha me barrelë, por vizitat e para treguan që nuk ka asgjë të rëndë.

“Diego Costa është mirë. U sakrifikua për të bërë gol. Një e prerë më shumë nuk është asgjë për tigrin tonë”, tha trajneri Simeone pas ndeshjes.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel