Ferrari, dorëhiqet Stefano Domenicali

14/04/2014 00:00

Stefano Domenicali ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij si shef i skuderisë Ferrari. Një vendim që pritej pas deklaratave të së premtes të presidentit Luca Cordero di Montezemolo, i cili theksoi se do të merren vendime të vështira për të ndryshuar situatën e këtij fillimsezoni.

“Do të punojmë natë e ditë dhe do të marrim vendimet që duhen marrë”, pati deklaruar presidenti i Kokëkuqes.

Në vend të Domenicalit është emëruar Marco Mattiacci, presidenti aktual dhe administratori i deleguar i Ferrari Nord America.

Në orën 12:13 erdhi komunikata e Maranellos: “Ferrari ka pranuar dorëheqjen e Stefano Domenicalit dhe e falenderon për shërbimin dhe përkushtimin e tij ndaj markës për 23 vite.”

Pas pranimit të dorëheqjes, foli presidenti Montezemolo: “E falenderoj Stefanon për kontributin dhe përkushtimin, por më shumë për ndjenjën e përgjegjësisë që ka treguar duke vënë interesin e Ferrarit para interesit personal.”

Ndërsa vetë Domenicali tha: “Ka momente në jetën profesionale kur duhet të gjesh kurajon për të marrë vendime të vështira. Ka ardhur koha për një ndryshim të madh. Si shef, marr përgjegjësi për situatën ku ndodhet sot Ferrari.”

Top Channel