Champions, Real përballë Bayern

11/04/2014 00:00

Është hedhur të premten shorti për fazën e gjysmëfinaleve të Champions
League, i cili ka bërë të mundur shmangien e përballjes së dy skuadrave
spanjolle me njëra-tjetrën.

Kështu, Real Madrid do të përballet me Bayern Munich, që konsiderohet edhe ndeshja më emocionuese, ndërsa Atletico Madrid do të ketë përballë anglezët e Chelsea.

Bayern është ndeshur me Real Madrid 20 herë në kupat e Evropës, mes të cilave pesë gjysmëfinale. Në këto ndeshje, bavarezët ia dolën mbanë në vitet 1976, 1987, 2001 dhe 2012, ndërsa spanjollët me fitoren e vetme në 2000.

Ndërkohë, kundërshtari i Chelsea, Atletico Madrid ishte vetëm katër pikë larg rënies nga kategoria në La Liga kur Diego Simeone u bë trajner në vitin 2011.

Ndërsa tani ekipi është në gjysmëfinalen e Champions dhe në krye të tabelës së klasifikimit në kampionatin spanjoll. Gazetari sportiv Andy West e vlerëson rritjen e nivelit të lojës tek Atletico si një lojë të shkëlqyer menaxheriale.

Hera e fundit që Chelsea takoi Atleticon ishte në një periudhë jo të mirë për blutë e Londrës, të menaxhuar atëherë nga Roberto Di Matteo, që u mundën 4-1 në Super Kupën e UEFA-s në vitin 2012, me një goleadë të Radamel Falcao.

Ndeshjet gjysmëfinale të Champions League do të luhen në datat 22/23 dhe 29/30 prill. Do të jenë Real Madrid dhe Chelsea që do të luajnë të parat në shtëpi.

Top Channel