Atletico-Chelsea, “Courtois” kthehet në çështje

11/04/2014 00:00

Ashtu siç u mësua nga shorti i gjysmëfinaleve të Champions-it, Chelsea do të ndeshet me Atletico Madrid, me takimin e parë që do të zhvillohet më 22/23 Prill në Madrid dhe atë të kthimit një javë më pas në Londër, por e gjithë vëmendja është fokusuar te çështja “Courtois”.

Portieri 21-vjeçar Thibaut Courtois, i cili është i huazuar tek Atletico nga Chelsea, ka krijuar një situatë intriguese, për shkak se u raportua fillimisht se Chelsea do ta lejonte klubin spanjoll të aktivizonte portierin belg në të dy takimet e gjysmëfinales, por me kushtin që të paguanin një shumë prej 3 milionë eurosh për secilën ndeshje.

Gjithsesi, UEFA reagoi menjëherë për të sqaruar këtë “problem”, duke deklaruar se organi më i lartë qeverisës i futbollit europian pret që portieri belg të aktivizohet në të dyja përballjet ndaj “Bluve”. Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj të internetit, UEFA shkruante: “Integriteti i kompeticionit sportiv është një parim themelor për UEFA-n. Si Champions League, ashtu dhe rregullat disiplinore të UEFA-s përmbajnë dispozita të qarta, të cilat ndalojnë rreptësisht ndonjë klub të ushtrojë, apo të përpiqet të ushtrojë, ndonjë influencë të çfarëdoshme ndaj lojtarëve që klubi tjetër kundërshtar mund të aktivizojë ose jo në fushën e lojës. Kjo do të thotë se, çdo dispozitë në kontratat private mes klubeve, që mund të ketë ndikim në një mënyrë të ngjashme për të influencuar te formacioni i rivalëve, në këtë rast është nul, i pavlefshëm apo i pazbatueshëm, për sa kohë që kthehet në shqetësim për UEFA-n. Për më tepër, çdo përpjekje për të zbatuar një dispozitë të tillë do të përbënte një shkelje të pastër të rregullave të kompeticionit apo të aspektit disiplinor të UEFA-s, e për pasojë do të sanksionohej sipas rastit”.

Chelsea do ta luajë takimin e parë në kryeqytetin spanjoll, me synimin për të siguruar një biletë për në finalen e Lisbonës. Sa i përket çështjes “Courtois”, shefi ekzekutiv i Chelsea-t, Ron Gourlay, tha:

“Huazimi është rënë dakord në fillim të sezonit. Ndaj dhe ai mund të luajë kundër Chelsea-t, për më tepër kjo gjë nuk është vënë kurrë në dyshim. Sa i përket deklaratës së UEFA-s, do ta vlerësojmë atë gjatë 24-48 orëve të ardhshme. Për çdo shqetësim tonin, do të sillemi në pajtueshmëri me rregulloren e huazimeve. Megjithatë, ai mund të luajë ndaj nesh, nëse këtë e vendos trajneri i tyre”.

Sa i përket shortit, Gourlay u shpreh se “Atletico, si të gjithë ekipet e tjera, është një ekip fantastik. Gjëja më e rëndësishme për ne ishte të arrinim në gjysmëfinale. Tani, duhet të sigurohemi që të jemi totalisht të përgatitur për të tilla ndeshje, e për këtë jam i bindur se Jose Mourinho do të bëjë maksimumin, por kemi disa ndeshje të rëndësishme përpara asaj me Atletico-n”.

Top Channel