Ancelotti admiron Bayern, mendjen te Ronaldo

11/04/2014 00:00

Carlo Ancelotti beson se shorti i gjysmëfinaleve të Champions League përbën më shumë se sa një sfidë për t’u kapërcyer për Bayern Munchen dhe ekipin e tij, Real Madrid.

Gjigantët gjermanë eliminuan “Los Merengues” në të njëjtën fazë të vitit 2012, duke fituar me penallti pas barazimit 3-3 (rezultat i përgjithshëm), teksa synojnë të bëhen ekipi i parë që rikonfirmohet kampion Europe, që kur ka nisur epoka e “Champions League”.

“Mendoj se Bayern është një ekip i madh, – tha Ancelotti. – Ata kanë kualitete individuale dhe kolektive, ndërkohë që kanë zhvilluar edhe një sezon të jashtëzakonshëm. Pep Guardiola është një prej trajnerëve më të mirë në botë dhe ka eksperiencë. Është një përballje shumë e vështirë për ne, por e tillë mbetet dhe për Bayern Munchen. Nuk besoj se është e lehtë të luash kundër Real Madrid. Gjithnjë në këtë fazë të kompeticionit të gjithë ekipet janë të mira. Bayern mund të jetë favorit, por objektivi ynë është të fitojmë Champions-in dhe nëse duam ta realizojmë këtë, atëherë do të na duhet të mposhtim Bayern Munchen”.

Ancelotti hodhi poshtë rëndësinë e faktit që do t’u duhet të udhëtojnë drejt Mynihut për takimin e kthimit. Kjo edhe për shkakun se, një shqetësim me më shumë presion aktualisht për teknikun italian është gjendja fizike e fituesit të “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo.

Portugezi nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit të Real Madrid për shkak dëmtimi, teksa pritet të mos luajë as në finalen e Kupës së Mbretit, kundër Barcelonës, ditën e mërkurë.

Ancelotti konfirmoi se Ronaldo nuk do të përfshihet për takimin e së shtunës në “Bernabeu”, kundër Almeria-s në La Liga, por shpreson që golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në Champions, me 14 gola, të jetë gati për përballjen me Bayern, në takimin e parë që do të zhvillohet në Madrid, më 23 Prill. “Nuk do të ndërmarrim risqe me Ronaldo-n, nëse ai nuk do të jetë në 100% të formës së tij, atëherë nuk do të luajë në finalen e Kupës së Mbretit”, deklaroi trajneri italian.

Top Channel