Messi vrapoi sa portieri Pinto

10/04/2014 00:00

Leo Messi është një nga lojtarët kryesorë ndaj të cilit do të drejtohet gishti për humbjen e Barcelonës ndaj Atletico Madrid në Vicente Calderon (1-0), humbje që eliminon katalanasit nga Liga e Kampioneve.

Trajneri Gerardo Martino në konferencën për shtyp nuk deshi të ndante përgjegjësitë e disfatës kur u pyet për pjesëmarrjen e Messit në lojë, por numrat e zbuluar nga UEFA tregojnë qartë se argjentinasi nuk dha asgjë për skuadrën.

Në një ndeshje sakrifice dhe me ritëm shumë të lartë, Messi ka vrapuar vetëm 6.8 kilometra, gati sa gjysma e Kokes (i cili përshkoi 12.2 kilometra). Por, ajo që e nxjerr keq fituesin e katër Topave të Artë është fakti se distanca e përshkuar nga ai është gati e barabartë me atë që ka përshkuar portieri Pinto (5.3) gjatë këtij takimi.

Lojtari që ka vrapuar më shumë në fushë nga futbollistët e Barçës ishte kapiteni Xavi me 11.8 kilometra, i ndjekur nga Jordi Alba me 11.5.

Top Channel