Cani në Top Story, kredia e FMN dhe reformat ekonomike

10/04/2014 00:00

Kuvendi miratoi marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar mes debatesh të ashpra në seancën plenare dhe dilemave në opinionin publik. A duhej një kredi e tillë? A e ka negociuar atë qeveria me kushte sekrete të rënda që po i mbahen sekret publikut, siç akuzon opozita? A janë të mjaftueshme këto para për të dalë nga kriza e borxheve? A do ta paguajmë shtrenjtë këtë kredi me rritje taksash, rritje cmimi energjie dhe më pak para për rrogat dhe pensionet?

Gjatë punimeve në seancë plenare, Kryeministri Edi Rama garantoi se marrëveshja përbën një bazë të mirë për rritje të qëndrueshme ekonomike. Por ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se marrëveshja rëndon si asnjëherë tjetër shqiptarët në 23 vitet e fundit, ndërsa aludoi për rritje taksash, ulje pagash dhe pensionesh. Ministri i Financave mohoi këto pretendime të opozitës duke deklaruar se nuk do të ketë ulje pagash dhe pensionesh.

Por kush është e vërteta e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar? Për t’iu përgjigjur kësaj dhe shumë pyetjeve që ngrihen sot në opinionin publik mbi këtë kredi, të qeverisë Rama në panelin e Top Story ishin të ftuar vetë Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, përballë ish-këshilltarit të Kryeministrit Berisha për cështjet e ekonomisë, Selami Xhepa, Ardian Civicit dhe analistin Shpëtim Nazarko.

Në nisje të fjalës së tij, Ministri i Financave Shkëlim Cani deklaroi se marrëveshja është bërë publike dhe se asgjë nuk është mbajtur e fshehtë. Ai tha se ka qenë qeveria shqiptare që i ka kërkuar Fondit që të bëjë publike cdo detaj të marrëveshje, ndërsa mohoi se ka kushte të vendosura nga FMN për dhënien e huasë.

“Kjo marrëveshje jo që s’është mbajtur sekret por është dhënë edhe në detajet që e saj, në atë që është diskutuar me FMN, që nga mesi i shtatorit dhe deri sa kemi arritur tek huaja. Asgjë nuk ka qenë sekret, që kur kemi deklaruar në fillim që do të rithërrasim FMN. Nuk është mbajtur asgjë sekret, as kushtet. Ata që e përflasin e dinë mirë këtë. Qeveria shqiptare ka këmbëngulur që të publikohen kushtet e marrëveshjes. Me përgjegjësinë maksimale unë deklaroj se nuk ka asnjë kusht nga ato që janë përmendur dhe nga ato që përmendni ju lidhur me këtë hua”, tha zoti Cani.

Ministri tha se bisedimet me FMN nuk janë mbyllur me kaq, madje ato në fund të prillit dhe fillim të majit do të rinisin për vitin 2015, 2016 madje edhe për 2017. Cani shtoi se kushtet për marrjen e kësaj huaje janë përmbushur dhe se qeveria kërkoi FMN për shlyerjen e borxheve të trashëguara nga qeveria e kaluar.

“Nuk kemi publikuar vetëm kushtet e huasë, por kemi publikuar edhe memorandumin e mirëkuptimit madje i themi FMN që të publikojë edhe atë që ka ardhur një ekip teknik i FMN në Shqipëri që hulumton për taksat dhe që ne jemi në bisedime për cilat taksa mund të rriten dhe cilat taksa mund të ulen”, tha Cani.

Por a ishte kjo zgjidhja më e mirë e mundshme e gjetur nga qeveria e re, pas ikjes nga pushteti të Partisë Demokratike? Kësaj pyetjeje iu përgjigj ish-këshilltari i ish-kryeministrit Berisha dhe ish-deputeti demokrat, Selami Xhepa.

“Largimi i FMN në vitin 2009, në gjykimin tim, për shkak se veni ishte pranë zgjedhjeve, ndoshta duhej mbajtur statusi ekzistues i FMN në Shqipëri. Megjithatë largimi i Fondit në atë periudhë ka reflektuar një moment të rëndësishëm maturie në ecurinë e reformave të tranzicionit në dy dekada duke reflektuar që klasa politike në Shqipëri është në gjendje të hartojë dhe zbatojë politika në mënyrë të pavarura nga faktorë të tjerë. Fakti që ne sot ndodhemi në këtë moment është zhgënjimi më i madh, jo në raport me Fondin, por në raport me faktorin politik që nuk kemi arritur të ndërtojmë një klasë politike në gjendje të ndërtojë politika të shëndosha dhe në dobi të interesave afatgjata për ekonominë shqiptare. Në gjykimin tim personal, rikthimi i FMN është një kolateral i jashtëzakonshëm për shqiptarët dhe unë e shikoj më shumë në dobi të shqiptarëve. FMN është keqpërdorur shpesh edhe nga qeveritë sepse qeveritë e paafta për të bërë reforma kanë përdorur për të justifikuar mungesën e tyre të nismës. Në fakt Fondi as nuk të lë, as të detyron dhe as të shtrëngon. FMN ka si orientim konservatorizmin fiskal, që nuk të lejon të hysh në ndonjë lloj aventure fiskale duke krijuar stimuj fiskalë në ekonomi që shpesh janë të pamotivuar”, tha zoti Xhepa duke shtuar se ishte pikërisht mungesa e FMN-së ajo që bëri që të shkelej kufiri ligjor për borxhin publik.

Sa për transparencën, Selami Xhepa shtoi:

“Natyra e këtyre marrëveshjeve është e tillë që nuk janë kolektive për t’u diskutuar. Partneri i FMN është gjithmonë qeveria dhe kjo dihet. Vendi ku takohet qeveria dhe opozita është parlamenti dhe natyrisht debati janë pikërisht këto forume. Nuk është në natyrën e këtyre marrëveshjeve që duhet të ketë bisedime politike. Ministria e Financave ka tagrin që të gjejë financime me interesa sa më të ulta për ekonominë dhe debati më pas debati zhvillohet në parlament për shkak të një neni që kemi futur në Kushtetutë ku cdo marrëveshje huaje duhet të ratifikohet nga parlamenti”, tha zoti Xhepa.

“Përgjithësisht marrëdhëniet me FMN janë në 3 aspekte, 1990-2000 FMN kishte një mandat ndërkombëtar dhe ishte simbol i atyre reformave që edhe Shqipëria duhet të kryente. Në këtë kuptim edhe ne nuk dolëm jashtë vendeve të Europës Lindore dhe Qendrore duke patur si udhëzues për këtë institucion për reformat. Marrëdhënia e dytë është ajo e krijuar nga 2008 e deri më sot, marrëdhënie konsultuese. Nuk është thjeshtë përfitimi tek 330 mln eurot që kemi marrë, por edhe tek politikat ekonomike brenda vendit. Ne iu rikthyem marrëveshjes me FMN pikërisht sepse ekonomia shqiptare kishte një rritje ekonomike 0.4 përqind për 2013. Borxhi është marrë për të përmbushur detyrimet, por në fakt do të na duhen po aq para për të nxitur rritjen ekonomike në 2014 dhe 2015. Unë mendoj që zgjedhja e FMN është një lëvizje e kushtëzuar, por që mund të cojë drejt suksesit. Më shumë rëndësi ka se cfarë masash dhe politikash na sugjerohen për të bërë se sa shuma. FMN të jep normat dhe standardet që nuk duhet të shkelës dhe nëse jemi në gjendje t’i zbatojmë, mund të mos kemi masa që diskutojmë, rritje taksash apo rritje cmimesh”, vlerësoi nga ana tjetër ekonomisti Adrian Civici.

Por për analistin Shpëtim Nazarko nuk mjafton FMN për të nxjerrë vendin nga kriza. Ai tha se bëhet fjalë për një krizë strukturore në ekonominë e vendit. Sipas tij vendi nuk ndodhet në një krizë numrash dhe shifrash, por në një krizë strukturore.   

 Ministri Cani ka qenë ndër të parët, në cilësinë e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë që nga viti 2007 e këtej ka ngritur alarmin që ekonomia po shkon në drejtim të gabuar. Por a është vërtet gjendja aq alarmante sa ç’mendonte opozita të ishte?

“Në shumë drejtime edhe më keq nga ç’e prisja dhe më keq është administrata. Kurrë nuk e kisha menduar që do të kisha një administratë kaq të demoralizuar dhe kaq të papërkushtuar për punët e shtetit. E pranoj që 6 muaj kanë qenë shumë për të demoralizuar një administratë e cila para zgjedhjeve e mendoi që është imponuar për të hyrë në fushatë dhe për t’u ngatërruar me politikë në vend që të kthjellohej për punët e shtetit”, deklaroi ministri Cani.

Në terma ekonomikë ai tha se ekonomia ka rënë në -0.2 përqind në 3-mujorin e fundit të vitit që lamë pas dhe kreditimi i rënë në zero. Të ardhurat gjithashtu, tha ai, në fund të 9-mujorit të 2013 ishin 200 mln dollarë më pak nga objektivi dhe se numri i kredive të këqija është 10-fishuar.

Adrian Civici tha se rritja ekonomike në 6 muaj ka rënë thuajse në nivelin 0. Ai shtroi pyetjen se cilat do të jenë burimet e rritjes ekonomike në të ardhmen, kur motorët e kësaj rritje deri më sot janë në krizë, si rënia e remitancave dhe sektori i ndërtimit dhe si do të përballohet borxhi?

Ministri i Financave deklaroi se njëri nga hapat do të jetë injekimi i 350 mln dollarëve në ekonomi, por jo për investimet publike, por për bizneset private që shteti u detyrohet, borxhe të akumuluara ndër vite. “Kjo do të thotë më shumë likujditet, të përmirësosh gjendjen financiare të biznesit dhe ai të investojë për t’u zgjeruar, do të thotë hapje e më shumë vendeve të reja të punës. Ky është një nga nxitësit”, tha zoti Cani.

Hapi i dytë, sipas tij, është përshpejtimi i shlyerjes së këtyre detyrimeve. Ai tha se 350 mln dollarë ndaj biznesit dhe individëve nga vendime gjykatash me shumë gjasa do të shlyhen brenda muajit qershor. “Deri më tani kemi shlyer 200 mln dollarë. Kemi filluar. Nuk jemi në gjumë”, deklaroi Cani.

Elementi i dytë i rritjes, sipas Ministrit të Financave do të jenë investimet publike. Ai tha se ka një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të rritur borxhin këtë vit dhe për të parë kurbën rënëse të tij në dy vitet pasardhëse në mënyrë që të stimulohet ekonomia. “Pamë që bankat janë konservatore dhe nuk japim kredi, biznesi ndodhet në vështirësi, ndaj për këtë do të jenë 1 miliard e ca euro investime së bashku me shlyerjet e borxheve të vjetra në mënyrë që të nxitet punësimi. Ndërkohë, duke shlyer këto borxhe të vjetra ne nxisim edhe bankat”, tha Cani.

Si mbërritëm deri këtu? Ku u gabua? Selami Xhepa thotë:  “Ekonomia që nga nisja e viteve 2000 humbi burimet tradicionale të rritjes dhe BB paraqiti një dokument për ekonominë tonë që të kërkonte burime të reja dhe alternative të rritjes. Një prej tyre ka qenë zhvillimi i sektorit privat nëpërmjet bankave. Nga viti 2009, reformat e 2005 i konsumuan efektet e tyre pozitive në ekonomi dhe më pas kemi një përpjekje të sforcuar dhe artificiale duke injektuar likuiditet në ekonomi nëpërmjet rritjes së huammarrjes, një fakt që u lejua edhe nga Fondi. Por në vend që fokusi të ishte tek reformat që ishin ilaci i vërtetë, u mbajt në mënyrë artificiale nëpërmjet këtyre lloj politikave”, deklaroi zoti Xhepa.

“Është e rëndësishme jo për faktin që Shqipëria do të marrë 330 mln euro për 3 vite, por për faktin që do të duhet të ndërmerren reforma në fusha kritike, si në skemën e pensioneve, fakti që sektori i energjisë elektrike nga një problem për konsumatorin është shndërruar në një problem të madh për financat publike, pra të gjitha këto drejtime të reformave janë të domosdoshme. Ajo që ka shkuar keq lidhet pikërisht këtu me sistemin ligjor, me gjykatat, me nivelin e korrupsionit dhe produktivitetin e administratës, e cila fatkeqësisht jo vetëm që nuk ka njohur përmirësime, por gjatë viteve të fundit ndoshta është përkeqësuar. Këto janë reforma që nuk kanë nevojë për para, janë reforma që kërkojnë vullnet”, tha zoti Xhepa.

Në pjesën e tretë dhe të fundit Ministri Cani dhe të ftuarit në panel u ndalën tek stimujt ekonomikë. Adrian Civici duke vlerësuar se në një ekonomi si e jona, ku 80 përqind e PBB-së jepet nga biznesi janë të domosdoshme reformat dhe stimujt shtysë për këtë sektor.

“Në buxhetin e 2014 parashikuam rritje të të ardhurave nga tatimet dhe doganat në 40 miliard lekë. Në 6 muaj qeverisje, ne kemi realizuar 170 milion dollarë më shumë në krahasim me 2012. Pika dy është se kemi 40 mld lekë për të realizuar objektivin tonë në të ardhura, gjysma e të cilave janë pa faktorë ose me luftë ndaj evazionit dhe shtrirjen e bazës së tatim-paguesve. Në këtë 3 mujor jemi në rrugë të mbarë në realizimin e atyre detyrimeve që kemi. Kritika që na vjen nga pas veshit nga opozita është që ne nuk jemi të saktë në parashikim, ne kemi ndjekur të njëjtën metodologji që është ndjekur një 4 vitet e fundit dhe duket që jemi në rrugë të mbarë. Në mes të vitit shpresojmë që të dalim më shumë nga c’kemi në objektiv”, u përgjigj zoti Cani.

Për klimën e biznesit, tha ai, janë një sërë ligjesh që të përafrojmë me standardet e BE-së, lehtësitë në dogana me një sportel për eliminimin e burokracive dhe sidomos korrupsionit.     

Top Channel