Alves justifikohet me “fushën e thatë”

10/04/2014 00:00

Dani Alves, mbrojtësi i djathtë i Barcelonës, deklaroi pas humbjes ndaj Atletico Madrid se “fusha e thatë” pengoi katalanasit të dilnin në lojën e tyre, edhe pse pranoi se madrilenët e merituan kalimin në gjysmëfinale.

“Ishte një ndeshje e vështirë për ne. Kundërshtarët kanë kohë që luajnë me të njëjtin stil, por duhet t’i përgëzojmë. Ata dinë të luajnë kështu dhe pikë”, tha braziliani.

Më pas, Alves u mundua të justifikohej me terrenin e Vicente Calderon: “Ata kanë armët e tyre: e lënë fushën të thatë dhe ngadalësojnë lojën. E dinë shumë mirë që neve na pengojnë këto gjëra. Luajnë me top të gjatë, dyluftim në ajër dhe vrapojnë për të na kapur të papërgatitur në mbrojtje. Ky stil loje i funksionoi. U mbrojtën, kundërsulmuan dhe fituan.”

Top Channel