Qerimaj e Godelli, “veshin” Europën kuqezi

09/04/2014 00:00

Tingëllon e pabesueshme, por Europa është veshur kuqezi nga peshëngritësit shqiptarë, Erkand Qerimaj, kampion, dhe Daniel Godelli, nënkampion. Të dy ngritën në dygarësh nga 349 kg, por në peshën e tyre trupore ka një ndryshim prej 20 gramë, si rrjedhojë e të cilit ndryshon edhe ngjyra e medaljeve.

Në një intervistë për Top Channel pas gare, Erkand Qerimaj shprehet shumë i kënaqur për gjithçka ka arritur, duke hedhur pas krahëve momentet e vështira që kaloi.

“Pas gjithë asaj lodhjeje dhe – siç e thatë edhe ju – një periudhe të vështirë, nuk ke si të ndihesh ndryshe veçse krenar. U shpalla kampion Europe përsëri, një titull që ma hoqën padrejtësisht në 2012-n. Për mua është një kënaqësi që të kem një sportist si Danieli në këtë peshë, sepse edhe mua më motivon më shumë. Në vend të tij mund të kisha një kundërshtar, por me të mund të motivohem për të kaluar gjithnjë në një nivel më të lartë. Këtë titull ua dedikoj të gjithë njerëzve, miqve që më kanë qëndruar pranë në një moment të vështirë, ndoshta më të vështirin që kam pasur në jetën time, si dhe të gjithë fansave dhe shqiptarëve kudo që ndodhen. Ndërsa me sy ua bëra të gjithë thashethemexhinjve që janë marrë me fjalë deri më sot”, është shprehur kampioni i ri i Europës, Erkand Qerimaj.

Ndërkohë, Godelli, edhe pse nënkampion, beson se ka shumë për të dhënë në peshën 77 kg, që – siç e thotë edhe vetë – është vetëm fillimi.

“Nuk më vjen mirë, apo ndjej keqardhje për garën, jo thjesht që nuk fitova titullin kampion Europe, por që ato kilogramë të ngritura aty nuk ishin maksimumi im. Por, gjithsesi, ka gara të tjera ku do të përpiqem të rikthehem te medaljet e arit, siç di të bëj gjithmonë. Pas 8 muajsh kemi kampionatin botëror dhe shpresoj që atje të jap maksimumin. Normalisht që do të ketë përmirësim, pasi kjo ishte gara ime e parë në peshën 77 kg, madje shumë më i madh se kaq”, ka theksuar nënkampioni i Europës, Daniel Godelli.

Peshëngritësit shqiptarë u nisën në këtë Europian mes shumë problemeve financiare, të cilat në fund gjetën një zgjidhje dhe, për këtë, presidenti i Federatës Elez Gjoza falënderon të gjithë ata, që bënë të mundur pjesëmarrjen e sportistëve tanë në këtë Europian, por ndërkohë kërkon më shumë vëmendje nga politika.

“Duhet që këta pushtetarë ta kthejnë edhe njëherë fytyrën nga sporti, sepse është ambasadori më i mirë i yni. Nuk kishte gjë më të bukur, se sa të këndohej himni shqiptar edhe nga pallati i sportit, për të dy sportistët tanë. Ishte e mahnitshme. Nuk e bën dot politika, atë që bën sot Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli”, tha presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza.

Për të ardhur keq për Romela Begajn, e cila u dëmtua dhe nuk mundi të kualifikohej në dygarëshin.

Top Channel