Mou: Reali në gjysmëfinale? Do të kënaqemi

09/04/2014 00:00

Jose Mourinho deklaroi pas kalimit të Chelsea-t të tij në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve se do të ishte shumë i kënaqur nëse kundërshtari i radhës do të ishte Real Madrid, ish-skuadra e tij.

“Cdo skuadër që do të na bjerë në short do të jetë e vështirë. E rëndësishme është që jemi mes katër më të mirave të Europës, por nëse na bie Reali do të kënaqemi”, theksoi trajneri portugez i “Bluve” pas fitores 2-0 ndaj PSG-së.

Mourinho nuk la pa “thumbuar” as Rafa Benitezin, ish-trajnerin e Chelsea: “Para një viti skuadra ishte në çerekfinalet e Europa League dhe 25 pikë pas vendit të parë në Angli. Sot jemi në gjysmëfinalet e Champions dhe shumë afër kreut në kampionat.”

Në lidhje me festimin e tij pas golit të dytë, ‘The Special One’ u shpreh: “Nuk po festoja, thjesht vrapova për t’i dhënë detyra të reja lojtarëve që po festonin. Kishim edhe disa minuta për të luajtur dhe në fushë ishin disa sulmues që duhet të ktheheshin për të mbrojtur.”

Top Channel