Fondi për të Drejtat Humanitare në Kosovë është kundër themelimit të gjykatës që do të merret me krimet e supozuara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Argumenti kryesor i Fondit kundër kësaj gjykate është se Kosovës i duhet të ndërtojë mekanizma dhe kapacitete që të vetëballafaqohet me krimet e luftës.

“Nëse krijohet gjykata jashtë Kosovës, atëherë gjyqësori kosovar nuk do të ndihet i detyruar për shqyrtimin e rasteve të krimeve të luftës, që si rrjedhojë do të kishte dështimin e Kosovës në ballafaqimin me të kaluarën”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga ky fond.

Sipas tij, me qëllim të efikasitetit më të madh në proçedimin e krimeve të luftës është i domosdoshëm bashkëpunimi zyrtar mes autoriteteve gjyqësore të Kosovës dhe Serbisë, temë kjo që duhet të futet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

“FDH në Kosovë edhe një herë bën thirrje që të krijohet Gjykata Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, që do funksiononte me trupa gjykues të përberë nga gjyqtarë të huaj dhe vendas. Është thelbësore që të bëhet ngritja e kapaciteteve të gjykatësve vendorë, që në të ardhmen do të marrin rolin udhëheqës në shqyrtimet e lëndëve për krime të luftës”, thuhet në komunikatë.

Në të njëjtën kohë, FDH iu bën thirrje institucioneve kosovare që në tërësi të zbatojnë ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, ndërkohë që nga vendet e BE-së dhe SHBA-të kërkon që të ofrojnë ndihmën e tyre në zbatimin e programeve të mbrojtës së dëshmitarëve.

Gjykata për UÇK, Zhbogar: Është e pashmangshme

Bashkimi Europian e kupton se sa e vështirë është për Kosovën të trajtojë çështjen e krijimit të një gjykate speciale për të trajtuar akuzat e mundshme që dalin nga raporti i Dick Marty-t.

Kështu shkruan gazeta “Koha Ditore”, e cila sqaron se themelimi i Tribunalit është tashmë i pashmangshëm dhe zgjedhja është nëse kjo do të bëhet me pajtimin e Kosovës ose në rast të refuzimit nga Kosova, të bëhet përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si një Tribunal Special i Kombeve të Bashkuara.

Kështu e shpjegon situatën përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, në një intervistë për “Kohën Ditore”. Zhbogar në vazhdim thotë se opsioni i krijimit të Tribunalit me pajtimin e kosovarëve është shumë më i favorshëm për vetë Kosovën, meqë gjykata do të jetë në kuadër të sistemit të Kosovës, me një pjesë të saj në një vend të BE-së, me gjykatës ndërkombëtarë të cilët brenda disa viteve të ardhshme do ta mbyllin përfundimisht çështjen.

Ndërsa, shton ai, opsioni i dytë, ai i krijimit të një Tribunali nga OKB-ja do nënkuptonte një proces të pafund, në duar të OKB-së që mund të zvarritet pambarimisht. Më e rëndësishmja, sipas Zhbogarit, është se Tribunali do të jetë për të trajtuar rastet individuale dhe ai në asnjë mënyrë nuk është as kundër Kosovës, as kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Top Channel