Skandali, i dyshuari për vrasje u la i lirë

04/04/2014 00:00

Pas ekzekutimit të biznesmenit të kromit Gjin Nika, i cili kishte pak ditë që kishte lënë burgun dhe që u deklarua nga organet e hetimit si autor i dy vrasjeve ngrihen mjaft pikëpyetje mbi drejtësinë dhe organet e hetimit në vendin tonë.

A dalin të dyshuarit për ngjarjet kriminale me provat e domosdoshme përpara gjykatave ne,  apo ata arrestohen pa prova dhe vetëm pasi ata prangosen kërkohen provat ? Të dhënat tregojnë se Gjin Nika është përfolur tre muajt e fundit nga policia dhe prokuroria për dy vrasje, atë të Qerim Markut dhe të Hasan Taljes, edhe këta biznesmenë në fushën e kromit në Bulqizë.

Por Gjin Nika nuk është arrestuar për këto dy krime. Në kulmin e hetimeve për të zbardhur vrasjen e Taljes, Nika arrestohet në Tiranë, por ndërsa deklarohet se ai është autori i vrasjes së Taljes, 36-vjeçari dërgohet në qeli për të vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata e Kurbinit me tre muaj burg për akuzën e falsifikimit.

Dokumentet tregojnë se sa ndryshe e shohin çështjen e të dyshuarit dy gjykata, ajo e Shkallës së Parë dhe e Apelit edhe pse provat janë të njëjta. Gjatë kohës që 36-vjeçari vuan burgun me tre muaj për falsifikim, prokuroria i drejtohet gjykatës duke kërkuar masë sigurie për një ngjarje tjetër ndaj të akuzuarit të saj, e konkretisht për vrasjen e mbetur në tentativë të një shtetasi, të cilit pretendohet se i është bërë atentat një vit më parë, por që objektivi nuk e kallëzoi krimin.

Për Gjykatën e Shkallës së Parë fakti që i plagosuri Gentian Kaçi nuk kallëzoi në prokuri lidhet me argumentin sepse i plagosuri kishte frikë prej Nikës pasi sipas tij autori kishte lidhje me policinë, prokurorinë dhe Gjykatën e Bulqizës. Por ky pohim i të dëmtuarit rrëzohet nga Gjykata e Apelit me treshen Fatmira Hajdari, Edmond Gogo dhe Gramoz Levanaj, të cilët thonë se ky qëndrim nuk mund të quhet provë, pasi në Bulqizë nuk ka as prokurori dhe as  gjykatë, ndërsa shtohet më tej policia në këtë zonë është e organizuar në një drejtori që ndodhet në Dibër, ndërsa, arsyetojnë gjyqtarët, plagosja e Koçit ka ndodhur në Tiranë.

Duke ndryshuar masën e arrestit nga me burg pa afat në detyrim paraqitje, gjyqtarët e Apelit shprehen se organi i akuzës nuk ka sqaruar se pse të dëmtuarit nuk e kanë deklaruar krimin në kohën e duhur. Sipas gjyqtarëve të Apelit marrja e provave në këto kushte do të  krijonte precedentë të rrezikshëm.

Pas këtij vendimi të Apelit Gjin Nika qëndroi në burg deri më 20 mars për falsifikim, ndërsa pasi rifitoi lirinë ai jetoi vetëm 14 ditë.

Top Channel