15 vjet pas mbylljes së hapësirës së lartë ajrore mbi Kosovën NATO ka vendosur ta rihapë atë për mbikalimet e aeroplanëve komercialë.

Kompania hungareze ‘Hungaro Control’ ka fituar autoritetin nga NATO për ta drejtuar hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. Nëpërmjet një komunikate për media Këshilli Veri-Atlantik i NATO-s njoftoi se hapësira ajrore për fluturimet civile të trafikut ajror është rihapur me 3 prill. Kjo do të thotë që nga kjo datë 10 mijë kilometra hapësirë ajrore e Kosovës mund të shfrytëzohen nga të gjitha kompanitë ajrore si linjë tranziti për të mbërritur në destinacionin e duhur.

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës Dritan Gjonbalaj tha se ky është një lajm i mirë sepse deri më tani Kosova ka qenë një zonë gri ndërsa tani e tutje është e disponueshme për të gjitha kompanitë ajrore. Sipas tij menjëherë pas hapjes së hapësirës ajrore mbrëmë pas mesnate dhjetëra kompani kanë shfrytëzuar hapësirën e lartë ajrore të Kosovës.

Sipas Gjonbalajt hapi i dytë për normalizimin e plotë edhe të hapësirës së ulët ajrore është hapja e korridoreve të reja përmes Shqipërisë, Malit të Zi e më vonë edhe të Serbisë. Kjo do të ndikonte në shkurtimin e kohës ajrore dhe në uljen e cmimit të biletave të udhëtimit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fog Rasmusen citohet të ketë thënë se rihapja e hapësirës së lartë ajrore në Kosovë është një shembull i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal dhe një hap i rëndësishëm që përfiton i gjithë Ballkani Perëndimor.

Komunikata thekson se në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe marrëveshjes teknike të vitit 1999 hapësira ajrore e Kosovës do të mbetet nën autoritetin e NATO-s dhe KFOR-it.

Agjencia Kosovare e Navigacionit Ajror ofron shërbime në hapësirën e ulët ajrore të Kosovës, për uljen dhe për nisjen nga Aeroporti i Prishtinës, si dhe për fluturime brenda territorit të Kosovës, kryesisht helikopterë të KFOR-it.

Zyrtarët të tjerë të qeverisë së Kosoëvs e përshkruajnë këtë si një hap tjetër  drejt marrjes së kontrollit të plotë të hapësirës ajrore dhe vjen në një kohë kur Kosova ka treguar se është e gatshme t’i normalizojë marrëdhëniet me fqinjët.

Top Channel