
Edhe Milan ka nisur “gjuetinë” nga Lindja e Largët. Barbara Berlusconi do të niset në fundjavë për në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’u takuar me sponsorët e “Fly Emirates”, e më pas ka në axhendë një udhëtim për në Azi.
Pikërisht në Singapor, vendlindjen e Peter Lim, manjatit që së fundi ka kërkuar të blejë Valencia-n dhe që tashmë duket i interesuar për 30% të aksioneve të kuqezinjve. Manjati Lim ka qenë në “San Siro”, së bashku me ortakun e tij Mendes, dhe duket se mund të jetë i gatshëm të ofrojë 300 milionë euro.
I apasiounar pas futbollit, sipas “La Stampa” dhe “Corriere della Sera”, Lim ka parë ndeshjen Milan-Chievo së bashku me menaxherin portugez të “Meriton Capital Limited”, fondi i investimeve që në Shkurt shpenzoi 45 milionë për kartonat e Andre Gomes dhe Rodrigo, te Benfica. Vizita në “San Siro” e manjatit aziatik ka kaluar pa u vënë re nga tifozët, por jo nga personat që merren me këtë punë, të cilët e njohin mirë atë si personazh dhe ambiciet e tij.
Lim, sipas “Forbes”, është njeriu më i pasur i Singaporit dhe ka një pasuri personale të vlerësuar në rreth 2 miliardë dollarë, të cilat vijnë kryesisht nga sektori i pasurive të patundshme. Pasioni i tij për futbollin është i njohur, pasi në të kaluarën ka kërkuar të blejë edhe Valencia-n, Liverpool-in, Atletico Madrid, apo Middlesbrough.
Milan, nga ana e tij, është vënë në kërkim të ortakëve financiarë dhe, për të nisur një epokë të re të shoqërisë, janë të gatshëm të shesin 30% të kuotave të klubit. Shifra që vërtiten në rreth 300 milionë euro, por që për momentin janë vetëm në kontaktet e para.
Në shtëpinë e Milanit po ndryshon thuajse gjithçka, duke ditur edhe projektin për realizimin e stadiumit në pronësi të klubit, ndaj dhe një partner ndërkombëtar do të ishte tepër i rëndësishëm për rilindjen e kuqezinjve.
Top Channel