Real, Cristiano, i shqetësuar nga gjuri

03/04/2014 00:00

Në minutën e 80′ të takimit Real Madrid-Borussia Dortmund, “Bernabeu” ndali brohoritjet: imazhi i Cristiano Ronaldo-s të rrëzuar në tokë për shkak të një dëmtimi në gjurin e majtë i frikësoi të gjithë.

Një përsëritje e inflamacionit në tendinën rrotulluese të gjurit, që në këtë periudhë fundsezoni nuk duket se të jep garanci. Ylli portugez bashkëjeton me këtë problem prej disa javësh dhe, për të mos rrezikuar, të mërkurën e mbylli përpara kohe ndeshjen e parë çerekfinale me gjermanët.

Megjithatë, pas ndeshjes ka menduar Carlo Ancelotti për të qetësuar disi të gjithë. “Realisht nuk jam i preokupuar, pasi është një problem i vogël. Një shqetësim që mbi të gjitha nuk është dëmtim. Tani do të vlerësojmë situatën dhe nëse ky shqetësim do të ndodhë sërish, atëherë do të duhet ta lëmë të pushojë, të paktën në ndeshjen e radhës në La Liga kundër Real Sociedad. Por, për momentin nuk bëhet fjalë për ndalesë, lojtari është i qetë dhe e nxorrëm 10 minuta para fundit të takimit vetëm për të qenë më të sigurt që të mos përkeqësohej gjendja”.

Një ndalesë që erdhi në mbrëmjen me një sens historik për Cristiano Ronaldo-n, pikërisht ajo e golit të tij të 14 sezonal në Champions, shifër që e ka lejuar atë të barazojë rekordin e Messi-t, Van Nistelrooy-t dhe Altafini-t. Por, kjo shifër e çon gjithashtu numrin total të golave që portugezi ka shënuar në Champions me fanelën e Real Madrid në kuotën 49, po aq sa legjenda madrilene Di Stefano dhe tashmë mbetet i dyti pas Raul me 66 gola.

Ndërkohë, në ndeshjen e tij të 100-të në Champions, me 64 gola të shënuara në total (49 Real dhe 15 Man Utd) ai mbetet vetëm 3 gola larg Messi-t dhe 7 larg Raul.

Shifra impresionuese për një lojtar të jashtëzakonshëm që, mes klubit dhe kombëtares, ka shënuar në 11 ndeshjet e fundit radhazi, ndërsa në këtë sezon, në 41 ndeshje të luajtura, ka tronditur portën kundërshtare 45 herë: 28 në La Liga, 14 në Champions, 3 në Kupën e Mbretit.

Top Channel