FIFA dënon Barcelonën: Nuk ka merkato!

02/04/2014 00:00

FIFA nuk do të lejojë Barcelonën të blejë lojtarë gjatë dy periudhave të ardhshme të transferimeve të futbollistëve.

Komisioni i Disiplinës i FIFA-s ka dënuar klubin spanjoll dhe Federatën Spanjolle të Futbollit (RFEF) për “shkelje në lidhje me tranferimet dhe regjistrimet e lojtarëve më të vegjël se 18 vjeç”, sipas një komunikate të shpërndarë nga organizmi drejtues i futbollit botëror.

Katalanasit janë dënuar për parregullsi në blerjet e 12 lojtarëve dhe nuk do të mund të blejnë asnjë lojtar gjatë merkatos së verës dhe të janarit.

Përveç kësaj, klubi spanjoll është dënuar edhe me 370 mijë euro gjobë.

Tashmë, merkato e Barcelonës që ka shumë nevojë për përforcime do të nisë vetëm në qershor 2015.

Koreani 16-vjeçar, origjina e dënimit

FIFA ka dënuar Barcelonën për blerjet e parregullta të disa lojtarëve minorenë, mes të cilëve është edhe një nga perlat e “kanterës” katalanase, koreani Lee Seung Woo, 16 vjeç. Barça e ka zbuluar këtë lojtar në Kupën Danone të zhvilluar në Afrikën e Jugut në vitin 2011.

FIFA e konsideron të ligjshme blerjen e një futbollisti minoren vetëm nëse plotësohen këto 3 kushte:

1. Nëse e ndërron vendbanimin familjar në qytetin e klubit që bën blerjen për arsye jo futbollistike
2. Nëse blerja kryhet brenda territorit të Bashkimit Europian dhe futbollisti është të paktën 16 vjeç
3. Nëse lojtari banon të paktën 50 kilometra nga kufiri i një federate tjetër dhe klubi që e blen ndodhet brenda kësaj distance.

Drejtuesit e Barcelonës janë të qetë dhe kanë thënë për mediat spanjolle se gjithçka do të zgjidhet pasi të shpjegojnë blerjet, por nëse githçka nuk zgjidhet, katalanasit nuk do të mund të regjistrojnë për sezonin e ardhshëm portierin gjerman Ter Stegen, me të cilin kanë firmosur.

Top Channel