F1, Montezemolo-Ecclestone duan ndryshime

02/04/2014 00:00

Edicioni i ri i Formula 1 duket se do të pësojë sërish ndryshime. Është ky verdikti pas dy garave të para të sezonit 2014, ato të Melburnit në Australi dhe Sepangut në Malajzi, të dominuara nga “Mercedes”, konkretisht me Rosberg dhe Hamilton, sipas garave respektive.

Luca di Montezemolo duket se ka kërkuar ndërhyrje apo riparime dhe për këtë pritej të udhëtonte të mërkurën drejt Londrës, për t’u takuar me Bernie Ecclestone.

Presidenti i Ferrarit dhe padroni i Formula 1 do të diskutojnë mbi rregullat e reja: gara më të shkurtra, kufizimi i karburantit dhe argumentet mbi zhurmën e motoreve.

Audienca televizive duket se ka rënë dhe sponsorët janë irrituar. Për këtë arsye është bërë thuajse e domosdoshme të ndryshohet diçka, një mendim që qarkullon thuajse në të gjithë sportdashësit e automobilizmit.

Duket se do të ketë sërish revolucion, teksa rregullat e reja të aprovuara nga konstruktorët kanë prodhuar një spektakël jo aq të mirë sa pritej deri në këtë moment. Ende nuk ka marzhe përmirësimi në horizont, kështu që pritet ndërhyrja sa më e shpejtë.

Tre ndryshimet parësore për të cilat po mendohet, madje Montezemolo i kërkon duke nisur që nga Çmimi i Madh i Kinës ose i Spanjës, janë heqja e kufizimit të karburantit, që kufizon konsumin deri në 100 kg/orë (apo 100 litra për 1 garë), shkurtimi i garave për të mos e patur shqetësimin e kufizimit të karburantit dhe në fund problemi për zhurmën e makinave.

Top Channel