F1, Button: Të marrim sa më shumë pikë

02/04/2014 00:00

Jenson Button ka deklaruar se cirkuiti i Bahreinit i pëlqen shumë edhe pse është i vështirë. Piloti i McLaren-it ka theksuar se objektivi i tij është të marrë sa më shumë pikë në garën e tretë sezonale të Formulës 1, ashtu siç ka bërë në dy garat e para.

“Kemi marrë pikë të rëndësishme në Australi e Malajzi. Ky ishte objektivi që i kishim vënë vetes për 4 garat e para dhe shpresoj që ta arrijmë”, tha britaniku për faqen zyrtare të skuderisë së tij.

“Do të jetë gara e parë që zhvillohet natën në këtë cirkuit dhe do të jetë interesante të shohim se çfarë lloj gare do të bëhet nën dritën artificiale”, shtoi Button, i cili këtë garë e ka fituar në vitin 2009.

Gara e Bahreinit do të jetë e veçantë për britanikun pasi aty do të marrë pjesë në Cmimin e Madh numër 250 në karrierë.

Jenson Button renditet i katërti në klasifikimin e pilotëve me 23 pikë, 20 më pak se kryesuesi Nico Rosberg (Mercedes).

Top Channel