Champions, vendasit vendosin diktatin

02/04/2014 00:00

Dy ekipet vendase, përkatësisht Reali i Madridit dhe PSG kanë arritur të marrin nga një fitore me mjaft vlera në fushën e tyre, duke hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve.

Reali i Madridit në Bernabeu është hakmarrë ndaj gjermanëve të Dortmund, duke fituar me rezultatin e pastër 3-0. Uellsiani Bale ka arritur të kalojë madrilenët në avantazh që në minutën e 3 të takimit, i cili shfrytëzoi mjaft mirë një pasim të marrë nga Carvajal dhe me një zgjatje të këmbës arriti ta kalojë topin në rrjetën e Weidenfeller. Më pas, në minutën e 27, do të vinte edhe dyfishimi i shifrave me anë të fantazistit Isco. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat, pavarësisht rasteve të shumta nga vendasit. Kësaj ndeshje nuk mund t’i mungonte goli i Ronaldos, i cili shënoi në minutën e 57-t.

Në Paris vendasit e drejtuar nga Blanc arritën një fitore të vyer ndaj ekipit të Mourinho. Lavezzi ishte ai që hapi ndeshjen që në minutën e 3-të. Më pas ndeshja do të ishte mjaft e luftuar nga të dyja ekipet. Chelsea do të barazonte rezultatin me anë të një 11-metërshi të kthyer në gol nga belgu Hazard, në minutën e 27-të. Në 45 minutat e dyta francezët e kërkuan golin e dytë dhe arritën të kalonin në avantazh me një autogol të Luiz. Ndërkohë, në minutat shtesë Pastore shënoi edhe golin e tretë dhe të sigurisë për PSG.

Me këto rezultate Reali i Madridit dhe PSG shkojnë më të qeta në ndeshjet e kthimit, të cilat do të luhen javën e ardhshme.

Top Channel