Champions, Reali për hakmarrje ndaj Borusias

02/04/2014 00:00

Sot në mbrëmje do të luhen ndeshjet e radhës çerekfinale të Champions League. Reali i Madridit do të përballet me Borusian e Dortmundit e cila duket disi më e dobësuar krahasuar me përballjen e tyre të fundit një vit më parë.

Madrilenët synojnë trofen e dhjetë të Ligës së Kampioneve, por përtej këtij fakti, që nga sot do të kenë edhe shansin për t’u hakmarrë ndaj gjermanëve që i eliminuan në sezonin e shkuar.

Dortmundi është në vendin e dytë në Bundesligën gjermane, por në prag të kësaj ndeshjeje ka probleme të mëdha me dëmimtet, mes tyre edhe lojtarin kryesor Robert Levandovski të cilin e kanë të pezulluar.

“Ne jemi një skuadër me shumë eksperiencë në Champions dhe jemi të vetëdijshëm që në këtë fazë janë skuadrat më të mira europiane, për këtë arsye kualifikimi apo edhe fitorja do të jetë e vështirë për këdo”, ka deklaruar Ançeloti në konferencën për shtyp.

Reali i Madridit vjen në këtë ndeshje me një moral jo shumë të mirë pas humbjeve në kampionat me Barcelonën dhe Seviljen. Gjithsesi, në fushë do të jetë Cristiano Ronaldo, golashënuesi më i mirë i Champions-it së këtij sezoni me 13 gola dhe Bale që po përmirësohet ndeshje pas ndeshjeje.
 
Ndeshja tjetër e mbrëmjes së sotme është ajo mes PSG-së dhe Celsit. Një vit më parë skuadra franceze u eliminua nga Barcelona, por në këtë sezon u kualifikua në çerekfinale dhe përballë do të ketë një kundërshtar të fortë si Celsi, fitues i Champions League në vitin 2012.

“Ndoshta Parisi nuk ka esperiencën e Celsit, por nëse do t’i hedhim një sy përbërjeve të skuadrave, situata nuk është shumë e favorshme për ne”, thotë Murinjo në konferencën për shtyp.

Mes lojtarëve që i trembet dhe vlerëson më shumë trajneri portugez është padyshim Zlatan Ibrahimovic, një nga sulmuesit më në formë të momentit.

Nga ana tjetër, Samuel Eto’o nuk do të jetë i pranishëm në këtë ndeshje për shkak të një dëmtimi dhe me shumë gjasa në vend të tij do të luajë Fernando Torres. Të dyja ndeshjet e radhës çerekfinale të Champions League do të keni mundësinë t’i ndiqni drejtpërdrejtë në paktetën SuperSport të platformës Digitalb.

Top Channel