“Seedorf të imitojë Sacchi-n e Zaccheroni-n”

01/04/2014 00:00

Festimi i ditëlindjes në Milanello nga ana e Clarence Seedorf i ka dhënë administratorit të deleguar kuqezi, Adriano Galliani, mundësinë e bërjes së një bilanci të vogël dhe një urimi për teknikun holandez.

“Kemi prerë tortën, teksa i kam thënë Seedorf-it të imitojë trajnerët e tjerë në historinë e klubit kuqezi, që kanë lindur më 1 Prill, gjatë periudhës së presidencës ‘berluskoniane’. Kanë qenë pikërisht Sacchi dhe Zaccheroni, të lindurit e tjerë në këtë datë, të cilët mund të jenë një shembull i mirë për t’u ndjekur nga Clarence”.

Më pas, Galliani ka bërë edhe një koment mbi të ardhmen e Ricardo Kakà. “Është ende herët për të biseduar për këtë çështje, – ka deklaruar ai, duke shtuar se – për merkaton mendojmë vetëm në fund të sezonit, duke nisur nga 19 Maji e në vazhdim. Tani për tani kemi ende 7 ndeshje për të luajtur. Do të mendojmë për to deri më 18 Maj e më pas do të nisin bisedimet për merkaton”, tha ai për Sky.

Ka gjetur kohën edhe për një buzëqeshje fëminore për rezultatet e mira të arritura së fundi nga Milan, përfshi barazimin me Lazio-n dhe fitoret me Fiorentinën e Chievo-n. “A është rikthyer fati në anën tonë? Sigurisht, madje është rikthyer edhe buzëqeshja. Skuadra është në rritje të vazhdueshme”.

Top Channel