Kakà drejt SHBA-ve, Galliani nuk e mohon

01/04/2014 00:00

Në Spanjë qarkullojnë zëra për një akord verbal të Kakà me Orlando City, një franshizë amerikane që nga viti 2015 do të bëhet pjesë e kampionatit amerikan të futbollit, Mayor League Soccer (MLS).

Informacioni merr shtysë nga deklaratat e vet brazilianit, i cili ka deklaruar se mund të largohet nga Milan në fund të sezonit, në varësi të projekteve të kuqezinjve, por edhe nga deklarata e administratorit të deleguar kuqezi, Adriano Galliani, i cili është shprehur se “pa Champions-in Kakà mund të largohet”.

Ndërkaq, ky lajm ka bërë tepër të gëzueshëm pronarin e klubit amerikan, Flavio Augusto da Silva, i cili ka mirëpritur “këtë lajm të madh” përmes një statusi në Facebook.

“Së shpejti do të jepet një lajm i madh për Orlando City”, ka shkruar në faqen e tij në rrjetin social Da Silva, milioneri brazilian që zotëron aksionet e klubit të Orlando-s, i cili ka një marrëdhënie miqësie me Kakà, por edhe të karakterit profesional.

Një deklaratë që, pavarësisht se publikohet nga “AS”, vendos në alarm Milanin dhe tifozët kuqezinj, të cilët janë përfshirë nga ankthi që nga e shtuna e javës së kaluar, kur Galliani kishte deklaruar se “ndërkohë që Milan mbetet pa Champions, Kakà mund të jetë i lirë të largohet”, pavarësisht kontratës së tij deri më 30 Qershor 2015.

Pas dygolëshit me Chievo-n, braziliani ka kthyer përgjigje, duke u shprehur se do të jetë një vendim që do ta marrë së bashku me klubin. “Këtu jam mirë dhe dua të qëndroj, por nuk është çështje parash”. Kakà mund të largohet që në fund të këtij sezoni, ose mund të qëndrojë edhe një tjetër vit, për të mbyllur më pas karrierën në SHBA.

Top Channel