Bosi i “Red Bull” mbron Vettel

01/04/2014 00:00

Bosi i skuderisë “Red Bull”, Christian Horner ka mbrojtur Sebastian
Vettel pasi piloti shau teksa kritikonte zhurmën e motorëve të rinj të
Formula 1.

Horner tha se ende nuk është kontaktuar nga Jean Todt, presidenti i organit qeverisës të F1, që duket se i ka mbetur qejfi nga fjalët e Vettel. “Askush s’më ka folur për atë që ndodhi në fundjavë. Ai duhet lavdëruar për faktin se tha atë që mendon”, deklaroi Horner.

Ndërkohë, edhe FIA mohoi që Todt të ketë paralajmëruar Vettel për përdorimin e fjalëve të pista në publik. Sidoqoftë, francezi u shkroi të gjithë pilotëve në nëntor 2012, duke i paralajmëruar që të mos përdornin fjalë të pista në intervistat për mediat, pasi si Vettel edhe Raikkonen e bënë një gjë të tillë pas çmimit në Abu Dhabi.

Fundjavën e kaluar, në Malajzi, Vettel përdori një fjalë me katër gërma për të përshkruar zhurmën e motorëve të rinj V6, duke u ankuar se ishin shumë të qetë.

“Ne jetojmë në një botë politikisht korrekte, por pjesë e filozofisë së “Red Bull” është t’u lejojë pilotëve lirinë e shprehjes. Sebastian ka shprehur opinionin e tij dhe unë nuk mendoj se dikush duhet të fajësojë një pilot për këtë”, deklaroi Horner.

Top Channel