Ndëshkim tjetër për Daniel Ricciardo

31/03/2014 00:00

Fillimi i sezonit për Daniel Ricciardon në skuderinë Red Bull nuk mund të kishte qenë më i keq edhe pse australiani i cili zëvendësoi Mark Webberin nuk ka bërë asnjë gabim nga ana e tij në dy garat e para.

Nëse në Cmimin e Madh të Australisë e skualifikuan pasi kaloi kufirin e lejuar të shpenzimit të karburantit (garën e përfundoi në vendin e dytë), në Malajzi gjërat shkuan edhe më keq.

Ricciardo humbi çdo mundësi në garë pas një gabimi të skuadrës në ndërrimin e gomave. Një nga mekanikët nuk e vendosi siç duhej gomën e parë majtas dhe australiani u detyrua të ndalonte në mes të korsisë së bokseve. Mekanikët e kthyen me të shtyrë makinën për të vënë siç duhet gomën, por kjo manovër do i kushtojë australianit gjatë garës së ardhshme pasi komisarët e dënuan atë me 10 pozicione zbritje në nisjen e garës.

Pa përmendur faktin që në garë Ricciardos iu vendosën 10 sekonda ndëshkim dhe nuk arriti sërish të merrte pikë duke mbetur në kuotën 0.

Top Channel