Luzi i Vogël me stadium

31/03/2014 00:00

Një investim në stadiumin e Luzit të Vogël në rrethin e Kavajës do të shërbejë jo vetëm për ekipin lokal të futbollit, por edhe për stërvitjen e të gjithë të apasionuarve pas këtij sporti.

Në këtë komune u organizua ceremonia e përurimit te tapetit të ri dhe impiantit të vaditjes, ndërsa komuniteti futbolldashes dhe tifozët e ekipit “Luzi i Vogël 2008”, përshëndeten këtë investim të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Presidenti i FSHF, Armand Duka theksoi rëndësinë e zhvillimit të sportit të futbollit edhe në zonat rurale, duke thënë se nuk është gjithnjë i rëndësishëm rezultati, po përfshirja në lojë.

“Jam shumë i kënaqur që marr pjesë sot këtu në këtë ceremoni përurimi të këtij impianti goxha modern i cili uroj që t’i shërbejë shumë mirë këtij komuniteti. Kjo arënë sportive të mos jetë qendër vëmendjeje për sa më shumë rezultat, por të jetë qëndra e fëmijëve të këtij komuniteti, të nxjerrë sa më shumë futbollistë, t’u ofrojë sa më shumë fëmijët e këtij komuniteti afër lojës, afër futbollit dhe larg veseve”, deklaroi presidentin i FSHF-së, Armand Duka.

Në ceremoninë e organizuar përpara ndeshjes Luzi-Vora përshëndetën edhe Prefekti i Kavajës, Xhevit Halili, kryetari i komunës Hajrulla Tafa, si dhe drejtuesit e klubit të futbollit, Albert dhe Lavdërim Lusha.

Top Channel