Serie A, Roma i afrohet Juves, që luan me Napolin

30/03/2014 00:00

Fiorentina nuk ka mundur të shkojë përtej një barazimi pa gola në transfertën xhenoveze, ndaj Sampdoria-s. Sinisa Mihajlovic nuk ka mundur të hakmerret ndaj ish-ekipit të tij, ndërkohë që emocione dhe gola ka pasur në kryeqytet, ku Lazio ka mposhtur “in-extremis” ekipin e Parmës.

3-2 ka qenë rezultati i sfidës në “Olimpico”, pas golave të Lulic, barazimit të Biabiany, avantazhit lacial me Klose, një gafë e portierit Marchetti pas devijimit të Ciani-t dhe në fund mendon Candreva për t’i dhuruar 3 pikë skuadrës, që ka për drejtor teknik Igli Taren.

Buzëqeshin Verona dhe Torino, të cilat siglojnë respektivisht fitoret 3-0 dhe 2-1 ndaj Genoa-s dhe ndaj Cagliarit. Veronezët ishin me 10 vetë përgjatë 45 minutave të dyta, por golat e Donadel dhe Toni (dopietë) nuk lënë asgjë për të shpesuar për Genoa-n.

Skuadra torineze, nga ana tjetër i është falur golave të El Kaddouri dhe Ceri-t, ndërkohë Nene shkurtoi distancën në minutat e fundit të takimit.

Më herët, gjatë drekës, Roma e drejtuar nga Garcia ka siguruar një fitore 2-0 në transfertën e Sassuolo-s, duke marrë kështu suksesin e katërt radhazi. Një ndeshje pa histori në “Mapei Stadium”, teksa verdhekuqtë dominojnë nga fillimi në fund.

Destro zhbllokon rezultatin në minutën e 16’, ndërsa Bastos, i cili shënon golin e parë në Itali, mbyll gjithçka në minutën e 6 shtesë. Polemika në pjesën e parë, për një penallti të dhënë fillimisht e më pas një tërheqje mbrapsht e vendimit nga ana e Rizzoli-t, për Sassuolo-n.

Ditën e shtunë, Milan mposhti 3-0 Chievo-n dhe rrëmben kështu fitoren e dytë radhazi në kampionat, pas 3 pikëve me Fiorentinën. Në “San Siro” shënuan Balotelli dhe dy herë Kakà, ndërkohë që Thereau gabon një 11-metërsh në minutën e 92’.

Po të shtunën, Atalanta mposhti 2-0 Bologna-n në “Dall’Ara”, ndërsa në mbrëmje luhet ndeshja mes Napolit dhe Juventusit.

Top Channel