Alonso: Ende pas Mercedesit dhe Red Bullit

30/03/2014 14:30

Pas vendit të katërt të arritur në Malajzi, Alonso e konsideroi rezultatin si një gotë “gjysmë plot”.

“Objektivi i parë, siç deklaruam që një ditë më parë, ishte që të zhvillonim garën pa probleme. Gjatë garës makina pati një performancë të mirë, nuk patëm probleme të mëdha. Ishim pak të ngadaltë në shikan, por e rëndësishme është që nuk kishim probleme besueshmërie. Megjithatë, është e qartë që për momentin Mercedes dhe Red Bulli janë diçka më të shpejtë dhe duhet të punojmë për të arritur edhe më lart në garën tjetër”, deklaroi piloti spanjoll.

Mbi strategjinë e gomave, Alonso tha: “Përsa kohë gomat kanë këto karakteristika dhe këtë konsum, ishte e detyrueshme strategjia me tre ndalesa. Me dy ishte e pamundur”.

Pas dy garave të para, gjithsesi kampioni i dyfishtë i botës mbetet optimist. “Jam i treti në Botëror pas dy garave, një pikë pas Hemiltonit, ndaj gjërat nuk duken aspak keq. Jemi atje, kjo është kryesorja”.

Top Channel