Kelmendi, tjetër medalje të artë

29/03/2014 00:00

Majlinda Kelmendi ka fituar edhe një medalje të artë përgjatë rrugës
drejt kampionatit evropian të xhudos, që nga data 24 deri më 27 prill do
të mbahet në Montpellier të Francës.

Kelmendi të premten doli kampione në turneun “Grand Prix” që po mbahet në Samsun të Turqisë. Ajo shkëlqeu në finalen e kategorisë 52 kilogramë, duke mposhtur italianen Odette Giuffrida me “Ippon”, pas 2.16 minutash luftë.

Në tri paraqitjet e mëhershme, Kelmendi nuk arriti nivelin që “preku” në finale. Por, primare për Kelmendin në këtë garë ishte konfirmimi i formës para kampionatit evropian, ku synon medaljen e artë.

Kampionia e botës në kategorinë deri në 52 kg ishte përfaqësuesja e vetme e Kosovës në Samsun. Ajo në luftën e parë e mposhti rumunen Larisa Florian e më pas fitoi kundër ukrainases Mariia Buiok dhe gjermanes Romy Tarangul.

Në kategorinë deri në 52 kg garuan 21 xhudiste. Medalja e artë i siguron Kelmendit edhe 300 pikë në renditjen botërore, ku ajo prin bindshëm në kategorinë e saj. Por megjithë medaljen e artë, trajneri Driton Kuka nuk është shumë i kënaqur me paraqitjen e Kelmendit.

Top Channel