Hamilton, pole position në Malajzi

29/03/2014 00:00

“Mercedesi” i Lewis Hamilton la prapa “Red Bullin” e Sebastian Vettel në provat zyrtare për Çmimin e Madh të Malajzisë, që do të mbahet të dielën.

Hamilton ishte 0.055 sekonda më i shpejtë se kampioni i botës, ndërkohë që shoku i skuadrës Nico Rosberg me një diferencë fare të ngushtë kohore la pas “Ferrarin” e Fernando Alonso.

Hamilton ka kapur kështu pole position-in e 34-t në karierën e tij, duke thyer rekordin e të madhit Jim Clark për pilotët britanikë. Ndërkohë, “Red Bulli” i Daniel Ricciardo la prapa “Ferrarin” tjetër të finlandezit Kimi Raikkonen.

Hamilton, Vettel dhe Alonso ishin në gjendje më të mirë se shokët e tyre të skuadrës, duke pasur parasysh edhe shiun që ra në pistën e Sepangut, i cili u vështirësoi planet.

Konkretisht, Hamilton ishte 0.619 sekonda më i shpejtë se Rosberg, Vettel 1.055 sekonda më i shpejtë se Ricciardo dhe Raikkonen 1.043 sekonda prapa Alonso.

Mes këtyre të fundit, Rosberg la pas Alonso në çastin e fundit me 0.125 sekonda, thuajse në fund të sesionit të provave, kur kushtet meteorologjike ishin paksa më të mira nga sa ishin në fillim.

Piloti i “Force India” Nico Hulkenberg, në pistën e lagur zuri vendin e shtatë, ndërsa debutimi i Kevin Magnussen me “McLaren” u konsiderua befasues, duke qenë se zuri vendin e tetë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Jenson Button të dhjetin.

Button rrezikoi me vendimin e tij për të zgjedhur goma të mesme për sesionin final, në një kohë kur të gjithë të tjerët kishin zgjedhur gomat e rënda për shkak të lagështirës që kishte përfshirë pistën.

Çmimi i Madh i Malajzisë do të zhvillohet të dielën dhe do të transmetohet live në orën 10:00 në Top Channel.

Top Channel