F1, Rosberg: Po çmendemi nga i nxehti

28/03/2014 00:00

Nico Rosberg, piloti që regjistroi kohën më të shpejtë në provat e lira të Cmimit të Madh të Malajzisë, ka deklaruar se në cirkuitin e Sepangut “çmendesh nga i nxehti dhe lagështia e ajrit” dhe shtoi se distanca mes makinave duket se është zvogëluar në krahasim me Australinë.

“Temperaturat janë shumë, shumë të larta. Do të jetë një sfidë e vështirë për të gjithë. Pamë që konsumi i gomave është tepër i madh dhe ky do të jetë një tjetër problem që kërkon zgjidhje”, tha piloti gjerman i Mercedesit.

Edhe pse mbylli ditën në vend të parë, Rosberg tha se ende makina ka disa probleme që nuk e lejuan që të jepte maksimumin.

“Kemi punë për të bërë gjatë natës në mënyrë që të përmirësojmë rendimentin tonë pasi pamë që distanca mes makinave është zvogëluar”, tha kryesuesi i kampionatit.

Provat zyrtare të Cmimit të Madh të Malajzisë do të zhvillohen të shtunën në orën 09:00, ndërsa gara të dielën në orën 10:00. Të dyja këto evente mund t’i ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel.

Top Channel