Mourinho: E prisja më lart Realin

27/03/2014 20:10

Trajneri i Chelsea, Jose Mourinho, shprehu habinë për pozicionin në të cilin ndodhet Reali i Madridit në kampionat.

Portugezi drejtoi gjigantët spanjollë për tre sezone, deri në fund të vitit të shkuar futbollistik, duke arritur të fitonte një titull, ndërsa dy herë udhëhoqi skuadrën në vendin e dytë pas Barcelonës në kampionat.

“Më befason pak gjendja e Realit. Shpresoja që të ishin pak më lart, të kishin më shumë avantazh, edhe sepse Barcelona nuk ka qenë në formën më të mirë në këtë sezon dhe ka humbur shumë pikë në të tre kompeticionet”, komentoi Mourinho.

Chelsea i portugezit kryeson me tre pikë në Premier League, por ka dy ndeshje më shumë se Manchester City.

I shtyrë nga gjendja e renditjes, Jose bëri një përqasje midis dy kampionateve, atij anglez dhe spanjoll. “Në Angli janë ende katër skuadra në luftë për kampionatin. Në Spanjë, tre skuadra ndahen nga vetëm tre pikë. Anglia dhe Spanja kanë sivjet kampionatet më emocionuese të Europës”, tha Mourinho.

Top Channel