
Të gjithë të bashkuar kundër Rusisë! Dikur Amerika e përballonte e vetme Bashkimin Sovjetik, në një përplasje të heshtur mes titanësh që edhe pse nuk e kapërceu cakun e retorikave e garës së armatimeve e të kalonte në konflikt të mirëfilltë, mjaftoi aq sa për t’i ngulitur gjeneratave të tëra frikën e një lufte shfarosëse bërthamore.
Sot, kundër Moskës janë rreshtuar thuajse të gjitha vendet e Perëndimit, ndërsa Kina ka bërë mënjanë duke e lënë Kremlinin edhe më të izoluar në sfidën e tij. Barack Obama e cilësoi Rusinë një “fuqi rajonale” që më shumë se sa nga forca, vepron e shtyrë prej dobësisë.
Mbase është edhe kështu, por vetë trashëgimia e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara varet shumë nga lideri rus Vladimir Putin dhe nga Europa. Obama ka reputacionin e një njeriu ose shumë racional, ose tepër të ftohtë në llogaritje, varet nga këndvështrimi. Vetëkontrollin e ka në maksimum e rrallëherë e humbet arsyen.
Komentet e tij mbi Rusinë dikush mund t’i shohë si përpjekje për të provokuar. Fuqia ruse në fakt nuk është më ajo e dikurshmja dhe tendencat ekspansioniste të Moskës janë më tepër reagim ndaj pozicionit të dobët gjeopolitik ku e sheh veten.
Për Amerikën, Kremlini nuk përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë: pushtimi i Alaskës, i përmendur në disa raste zor se ndodh, ndërsa një sulm bërthamor është jashtë cdo diskutimi. Megjithatë në mënyrë indirekte, ky vend përfaqëson një rrezik të madh për vetë Barak Obamën. Putini me veprimet e tij e ka lëkundur besueshmërinë e presidentit amerikan si lider dhe ‘Palladin i Perëndimit’.
Obama gjendet përballë një situate sfiduese për të dhe për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Hapat që do të hedhë do të përcaktojne nëse historia do ta kujtojë si një president të fortë apo si një udhëheqës të dobët e do të përvijojnë politikat e atyre që do të vijnë pas tij?
Shume varet nga Europa; a do të tregojë Brukseli dhe Uashingtoni unitet e vullnet për të pranuar barrat e mundshme ekonomike, rezultat i reagimit të tyre ndaj Rusisë? Apo marrëdhëniet trans-atlantike do të kalojnë nëpër ulje-ngritje të reja.
Linja europiane do të ketë padyshim ndikim të madh në politikën e jashtme të superfuqisë së fundit botërore e në lojë këtu është padyshim edhe trashëgimia e presidentit Obama.
Top Channel