Kupa, gjysmëfinalet e para, gjithçka e hapur

26/03/2014 00:00

Kukësi ka fituar me rezulatin e ngushtë 3-2 takimin e parë të vlefshëm për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ndaj Teutës së Durrësit.

Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e katërt të takimit me anë të Izuchuku-t. Por katër minuta më vonë, Ahmataj barazon rezultatin. Pavarësisht përpjekjeve të vendasve dhe miqve për të gjetur sërish rrugën e rrjetës, pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1.

Duhej pritur minuta e 77 e takimit për të parë zhbllokimin e rezultatit. Hysa kalon në avantash vendasit. Gjashtë minuta më vonë Cikalleshi shënoi sërish për vendasit, duke u dhënë avantazhin e dy golave dhe më shumë qetësi për takimin e kthimit. Por jo. Durrsakët nuk u pajtuan me rezultatin dhe kërkuan të shënojnë sërish. Përpjekjet e tyre shpërblehen në minutat e fundit të takimit kur Jakupi shënon.

Kukësi fitoi ndeshjen 3-2, një fitore që lë gjithcka të hapur për ndeshjen e kthimit në Durrës, ku do të përcaktohet edhe skuadra që do të marrë njërën nga dy biletat ende në lojë për finalen e Kupës.

Ndeshja tjetër, ajo midis Flamurtarit dhe Skëndërbeut u luajt pasdite në qytetin e Vlorës.

Pavarësisht rasteve për shënim nga të dyja skuadrat, 90 minutat e para të kësaj gjysmëfinale u mbyllën pa gola dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Korçë, ashtu siç do të ndodhë me çiftin tjetër në Durrës.

Top Channel