Dedektivi Jashim, një nga personazhet më joshës në prozën bashkëkohore të romaneve thriller, rikthehet sërish në Stamboll, por tashmë për të zbuluar një komplot.

Jemi në Stambollin e vitit 1838, kur Perandoria Otomane është drejt fundit dhe Sulltani që dymbëdhjetë vjet më parë, në 1826-n, kish shfarosur repartin zulmëmadh e famëkeq të jeniçerëve, tashmë me mëlçi të shkatërruar nga alkooli i tepërt i verës së përditshme, po jepte shpirt.

Janë ditët e tij të fundit mbi Bosfor, ditë që kanë zbarkuar në qytet grekë e francezë, të cilët kanë një synim, të gjejnë thesaret e vjetra mes të cilave dhe kupën e shenjtë të Krishtit, të cilën ai e ka përdorur në natën e fundit të jetës.

Kjo është historia e romanit “Guri i gjarprit” që shtëpia Botuese “Saras” sapo e ka hedhur në treg, shkruar nga historiani dhe shkrimtari anglez Jason Goodwin.

Një histori konspiracioni, e cilësuar e jashtëzakonshme nga kritika, e cila futet në skutat e historisë e na tregon se e tashmja e ka pikërisht shpjegimin tek librat e vjetër.

Por, ajo çfarë e bën të rëndësishëm ardhjen e këtij libri në shqip, është fakti se shqiptarët janë protagonistët kryesorë të tij.

Ata janë administruesit e sistemit të ujësjellësit të Stambollit, ku ruheshin thesaret e çmuara të perandorisë.

Një prej tyre Enver Xani, vritet teksa kujdesej për to. Libri është një udhëtim i jashtëzakonshëm në Turqinë e së shkuarës, duke bërë të takojmë në të shqiptarët, njerëzit besnik e me ambicje, historitë e të cilëve kanë mbetur në arkivat turke, e që ky anglez kërkon tu japë jetë, përmes këtij romani thriller…

Top Channel