Andrea Stefani – Bashkimi Europian e ka vënë qeverinë “Rama” përballë
një misioni të pamundur: Të arrijë konsensus dhe dialog normal me
Berishën ose ndryshe nuk ka status kandidati për Shqipërinë në qershor!
Por një gjë e tillë shfaqet po aq e vështirë sa edhe arritja nga BE dhe SHBA, për shembull, e konsensusit me Vladimir Putinin për Krimenë. Në të dy rastet interesat strategjikë nuk pajtohen as edhe në një hapësirë apo pikë të vetme, premisë kjo e domosdoshme për çdo konsensus. Të bësh sikur nuk e shikon një gjë të tillë ka vetëm një emër: hipokrizi!
***
Qeveria “Rama” mund të quhet fajtore për mosarritjen e konsensusit me Berishën, dhe për rrjedhojë edhe për mosmarrjen nga Shqipëria të statusit të kandidatit qershorin që vjen, po aq sa ç’është fajtore BE për mosarritjen e konsensusit me autokratin Putin për humbjen nga Ukraina të Krimesë. Megjithatë, dikush mund të thotë se, pavarësisht analogjisë në rastin BE-Putin, kjo është gjendja e punëve në Shqipëri dhe se në BE nuk gënjejnë kur thonë se pa konsensus e dialog më opozitën, nuk mund të ketë status në qershor. Që punët në Shqipëri nuk janë mirë, kjo nuk do koment. Ndërkaq, nuk duhet harruar se nëse punët janë kaq keq sa janë, një kryerol të pandërprerë 23-vjeçar ka pasur dhe ka Sali Berisha. A mund të shpresohet që kryeaktor i përkeqësimit të punëve në Shqipëri, të shërbejë për t’i përmirësuar ato?! Krahas kësaj në BE duhet të bëhen të ndërgjegjshëm se duke u fiksuar te kërkesa e ngurtë për domosdoshmërinë e konsensusit kur shihet qartë se opozita nuk ka asnjë predispozitë për një gjë të tillë, Brukseli po e vë qeverinë shqiptare përballë një misioni të pamundur dhe në fakt, i kanë dhënë Berishës, këtij versioni shqiptar të autokratizmit putinist, veton e integrimit të Shqipërisë. Që do të thotë kurrë integrim për Shqipërinë. Sepse Berisha dhe klani i tij politik janë pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë. Nëse në qeverisjen e tij të parë, Berisha e mbajti Shqipërinë larg BE për shkak të gjakimit autokratik sot, pas qeverisjes së tij të dytë dhe kur është vënë në kërkim të një qeverisje të tretë, këtij gjakimi i është shtuar edhe korrupsioni.
***
Po ku e gjejmë të drejtën të shprehemi kaq kategorikisht për Berishën si një politikan që bllokon integrimin? Te faktet dhe vetëm te logjika e fakteve. I lëmë mënjanë krizat (vjedhjen e zgjedhjeve në vitin ’96, piramidat financiare dhe rënien e shtetit në vitin ’97, grushtin e armatosur të shtetit në vitin ’98, sulmin e armatosur mbi Komisariatin e Tropojës më pas, tragjedinë e Gërdecit apo masakrën e 21 janarit), e lëmë mënjanë tendencën e pafjetur për kapjen e të gjithë institucioneve të pushtetit. Vetëm një tregues do të qe i mjaftë për të zbuluar natyrën prej autokrati, pra dhe antieuropiane, të panginjur me pushtet të Berishës. Dhe ky është qëndrimi i tij që prej 23 vjetësh në krye të politikës, opozitave dhe qeverive. Berisha është sot lideri më anakronik në Europë. I vetmi që vjen që nga koha e Murit të Berlinit. Të gjithë homologët e tij në vende të tjera, të shquar e të pashquar, kanë dalë në pension. Vetëm Berisha vazhdon të rezistojë në krye të PD si me mandatin e pakufishëm të një kryetari tribu-je. Dhe të mendosh se hyri në lëvizjen demokratike me premtimin për t’i dhënë fund traditës komuniste të liderëve të përjetshëm. Por tashmë, po dalin fakte të tjera që provojnë se Berisha ka qenë i katapultuar në krye të lëvizjes studentore nga Ramiz Alia pikërisht si komunist i vendosur dhe jo si demokrat i dedikuar. Një komunist “antikomunist” si Berisha nuk mund t’i shërbente dhe nuk mund t’i shërbejë kurrë europianizimit të Shqipërisë dhe integrimit të saj në BE. Zvarritja 23-vjeçare e procesit të integrimit të Shqipërisë është prova më elokuente për këtë.
***
Dhe nëse të gjitha këto nuk mjaftojnë për të bindur BE-në se Berisha dhe klani i tij politik, që i ka shtrirë metastazat edhe në Bruksel, nuk janë pjesë e zgjidhjes së problemit, por vetë problemi, atëherë faktet humbasin fuqinë dhe duhen kërkuar shkaqet e kësaj verbërie apo moskuptimi nga diplomacia e BE. Në rastin më të mirë shpjegimi mund të vijë nga përgjigjja për pyetjen: Mos Berisha dhe tensionet e trazirat që krijon ai, janë një alibi e mirë për të frenuar momentalisht zgjerimin te Shqipëria, tani që BE shfaqet e lodhur dhe nuk ia ka ngenë që të shtrihet më tej? Nëse jo përse BE nuk bën diçka për të ndihmuar Shqipërinë të shmangë shkëmbin që i ka zënë rrugën e integrimit?
***
Po si do ta bënte Brukseli një gjë të tillë? Në radhë të parë të mos i vinte mazhorancës së sotme, sikur kjo të kish përballë Nehru-në apo Gandin dhe jo një autokrat me damkë si Berisha, kushte për doemos konsensus me Berishën. Konsensusi është një gjë shumë e mirë, por për arritjen e tij duhen dy palë. Dhe konsensusi bëhet i pamundur kur përballë ke politikanë të tipit putinist. Sepse me ata nuk të bashkon asgjë. Tirania e shumicës është e papranueshme, por e tillë është edhe arroganca e pakicës. Para se t’i vënë kushte shumicës për konsensus të domosdoshëm, që duke marrë parasysh tipin e opozitës berishiste shfaqet si një nonsensus, në Bruksel duhet të sqarohen se kush e pengon konsensusin, tirania e shumicës apo arroganca e pakicës. Gjykim që mund të bëhet në mënyrën e duhur vetëm duke i vlerësuar qëndrimet e palëve në raport me principet e demokracisë. Nuk mjafton t’u thuhet shqiptarëve nuk e morët statusin ngaqë politikanët tuaj u sherrosën përsëri. Kjo është përrallë e vjetër. Berisha ka 23 vjet që nuk merret vesh me kundërshtarët e tij thuajse për asgjë duke i shkaktuar Shqipërisë dëme të pallogaritshme me sherret e tij. Prandaj ka ardhur koha që Brukseli të thotë qartë se kush është fajtori. Kjo do t’i ndihmonte shqiptarët edhe në vendimmarrjen e tyre me votë në të ardhmen e afërt. Por shmangia nga Brukseli i rolit të një arbitri që flet qartë, do të ishte barazi me braktisjen e fatit të Shqipërisë në duart e sherrxhinjve kronikë si Berisha. Shqipëria nuk ndihmohet duke fajësuar “klasën politike” në bllok. Brukseli do ta ndihmonte Shqipërinë vetëm nëse mbante qëndrim qartazi mosaprovues për palën, liderin, partinë politike që bëhet pengesë kryesore për integrimin. Qëndrimi neutral duke akuzuar palët për barasfajësi, nuk është diplomaci, por hipokrizi.
Top Channel