Italia, Prandelli deri në fund të 2016-s

25/03/2014 00:00

Cesare Prandelli do të jetë trajner i kombëtares italiane të futbollit deri në fund të vitit 2016. Tekniku i “axurrëve” ka arritur marrëveshjen me Federatën Italiane të Futbollit (FIGC) për rinovimin e kontratës, që do ta lidhë me Italinë deri në fund të Europianit 2016.

Konfirmimi vjen edhe nga zyrat e Federatës, ndërsa “firma pritet të hidhet në letër në javët në vijim”. Prandelli do të mbetet kështu në krye të të kaltërve deri në fund të mandatit presidencial të Giancarlo Abete, lideri aktual i FIGC.

Abete ndan të njëjtin mendim në lidhje me rinovimin e Prandelli-t edhe me presidentin e “Club Italia”, Demetrio Albertini, si dhe me drejtorin e përgjithshëm Valentini, teksa do të përshkruajë kushtet e kontratës dhe objektivin kryesor në Këshillin Federal. Akordi është arritur për 2 vite të tjera bashkëpunim, me dëshirën reciproke të të dy palëve.

Puna e Prandelli-t do të jetë e garantuar deri në Europianin 2016 që do të zhvillohet në Francë, kualifikueset e së cilit do të fillojnë menjëherë pas mbarimit të Botërorit në Brazil. Me Federatën dhe “Club Italia”, Prandelli do të rakordojë programin teknik të Kombëtares, me objektivin për të harmonizuar sa më mirë kalendarin e ndeshjeve zyrtare dhe miqësore, si dhe për përgatitjet në përgjithësi të skuadrës, ashtu si dhe falë një bashkëpunimi tepër të fortë me Ligat e Serie A dhe Serie B.

Pas konfirmimit të FIGC, ka ardhur edhe ai i Cesare Prandelli-t: “Në këtë moment, – ka deklaruar tekniku axurr, – ndiej një kënaqësi të madhe. Jam krenar për faktin që Federata më ka propozuar një kontratë dyvjeçare, pavarësisht se ç’do të ndodhë me Botërorin. Ndaj dhe kam ofruar gatishmërinë time të plotë”.

Top Channel