Barcelona, 120 mln euro për merkaton

25/03/2014 18:20

Barcelona mund të shpenzojë deri në 120 milionë euro në merkaton e ardhshme verore.

Këtë e tha presidenti Josep Bartomeu ditën e martë, duke konfirmuar se skuadra e tij mund të jetë një prej protagonisteve të mëdha të merkatos që po afron.

Katalanasit kanë nevojë të detyrueshme për një portier dhe një qendërmbrojtës pas largimeve të konfirmuara të Valdes dhe Puyol, e presidenti Bartomeu theksoi se gjendja financiare është e tillë që mund të lejojë operacione të rëndësishme, me qëllim mbajtjen e skuadrës në majën e futbollit europian.

“Nga bilancet tona të viteve të fundit, kemi pasur zakonisht një plus prej 120 milionë eurosh”, deklaroi Bartomeu për “El Peridico”. “Zakonisht, shpenzojmë gjysmën e këtyre fondeve në merkato dhe gjysmën tjetër për të shklyer borxhe afatgjata. Megjithatë, nuk ka asnjë pengesë për të shpenzuar 120 milionë euro direkt në merkato”, shtoi presidenti.

Gjatë javës së shkuar, televizioni “ESPN” zbuloi listën e dëshirave të trajnerit Martino për merkaton e ardhshme.

Në këtë listë përfshihen portieri Ter Stegen i Mynshengladbahut, mbrojtësit Subotiç i Dortmundit, Felipe Luis i Atleticos, Vergini i Sunderlandit, Doria i Botafogos, mesfushorët Gundogan i Dortmundit dhe Arda Turan i Atleticos, si dhe sulmuesi Kun Aguero, i Manchester City e Klose i Lazios.

Top Channel