
Barack Obama është në Holandë për një takim urgjent me liderët e grupimit G7, ku do të diskutohet përgjigjia ndërkombëtare ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Mbledhja e grupit të 7 vendeve më të industrializuara të botës zhvillohet krahas një takimi të nivelit të lartë mbi sigurinë bërthamore të planifikuar më herët.
Pak pas mbërritjes, presidenti amerikan u takua me kryeministrin holandez Mark Rutte dhe të dy iu drejtuan medias për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për Kievin.
“Europa dhe Amerika janë të bashkuara në mbështetjen tonë për qeverinë dhe popullin ukrainas. Ne jemi të bashkuar për t’i imponuar një kosto Rusisë për veprimet e saj. Kryeministri Rutte me të drejtë vuri në dukje se sanksionet në rritje do të kenë pasoja për ekonominë ruse. Do të takohem me homologët e G7-s dhe do të vazhdojmë të bashkërendojmë ngushtë me Holandën dhe partnerët tanë evropianë masat që do të marrim në të ardhmen”, deklaroi Obama.
Analistët mendojnë se ky takim ka për qëllim koordinimin e sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të ndërhyrjes së trupave ruse në Krime këtë muaj. Grupi gjithashtu pritet të vlerësojë edhe koston e masave të mundshme të Kremlinit ndaj Perëndimit për t’u hakmarrë.
Ndërkohë, vetë Vladimir Putin, pak orë pas largimit të ushtarëve ukrainas nga të gjitha bazat e Krimesë me urdhër të presidentit të përkohshëm Oleksander Turchynov, mori pjesë në një ceremoni shtetërore në Moskë ku ndau çmime për organizatorët e lojrave të Soçit, por nuk e përmendi në asnjë rast gadishullin e kthyer në mollë sherri mes Rusisë dhe Perëndimit.
Arsyeja përse Turchynov kërkoi evakuimin e trupave, duke ia dorëzuar praktikisht Krimenë Rusisë ishin kërcënimet e bëra ushtarëve ukrainas dhe familjeve të tyre. Me marrjen e Feodosias, e treta brenda 48 orësh, çdo bazë ushtarake në Krime tashmë është nën kontrollin absolut të Moskës.
Top Channel