Energjia e HEC-eve private

24/03/2014 00:00

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri tha se Qeveria do
të rishohë çmimin me të cilin Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare
blen energjinë nga prodhuesit privatë.

‘Ligji i ri për energjinë kishte futur një koncept që ishte kontradiktor, e kishte vënë për subjekt. Ju e dini shumë mirë që çmimet që i merrni i keni për njësi prodhimi, pra krijonte një kontradikte të madhe. Jo të gjitha njësitë e prodhimit kanë kosto të njëjtë të prodhimit të energjisë, jo të gjitha kontribuojnë njësoj në rrjetin energjetik shqiptar”, tha Gjiknuri.

Prodhuesit privatë të energjisë ia shesin atë KESH-it me çmim shumë disa herë më të lartë nga sa e prodhon vetë KESH-i, apo edhe se çmimi në tregun ndërkombëtar. Por në tryezën me prodhuesit privatë të energjisë, ambasadori italian Massimo Gaiani kërkoi gjetjen e një zgjidhje të shpejtë sa i përket humbjeve teknike dhe atyre joteknike.

“Nëse krahasohet me cmimin e importit, duhet patur parasysh se çdo kilovat i prodhuar në Shqipëri gjeneron taksa, punësim. E gjithë kjo duhet të merret në konsideratë në optikën e një sistemi që duhet të jetë i qëndrueshëm dhe për të qenë i tillë duhet të përballet me problemin e humbjeve dhe hendekut mes prodhimit dhe faturimit. Humbjet fizike dhe në arkëtim janë problemi më i madh për të sjellë sistemin në ekuilibër”, tha Gaiani.
    
Një tjetër ndryshim në ligj është liberalizimi i tregut të energjisë.

“Me nxjerrjen e shumë klientëve komercialë, që janë të lidhur direkt në rrjet dhe janë përgjithësisht konsumatorë industrialë dhe mundësisht të ndodhë në fillimet e vitit tjetër, me ligjin e ri që do të kalojë pas një studimi që po kryejmë, do të krijojë një potencial 30 për qind ekstra të tregut që do të ketë nevojë për energji. Atëherë, shumë mirë një pjesë e prodhimit të energjisë nga operatorët privatë, mund të shkojë direkt dhe të furnizojë këta konsumatorë. Nuk mund të jetë vetëm barra tek prodhuesi, furnizuesi publik me shumicë, nuk mund ta ketë KESH-i vazhdimisht këtë barrë”, tha Gjiknuri.

Top Channel