Barcelona rihap kampionatin spanjoll

24/03/2014 00:00

Shtatë gola, tre 11-metërsha, një karton i kuq dhe shumë rekorde. “El Clasico” më i bukur në historinë e futbollit spanjoll përfundoi 3-4 në favor të Barcelonës, triumf ky që rihap kampionatin spanjoll.

Sfida në Santiago Bernabeu nisi me një gol të shpejtë të Iniestës. Mesfushori katalanas nuk fali gabimin e mbrojtjes madrilene për të cilët loja ende nuk kishte filluar edhe pse ishte minuta e gjashtë. Skuadra e Ancelottit zgjohet nga gjumi dhe fillon të rrezikojë në portën e Valdes, por Benzema në dy raste nuk arriti të barazojë rezultatin.

Gjithsesi, francezi korigjon veten shumë shpejt dhe brenda 4 minutave shënon 2 gola dhe kalon Realin në avantazh.

U mendua se pjesa e parë do të përfundonte me këtë rezultat, por 3 minuta para përfundimit të saj Messi barazoi shifrat. Ashtu siç ka ndodhur shpesh këto vitet e fundit, edhe në këtë El Clasico nuk mungoi sherri mes lojtarëve.   
Protagonisti i pjesës së dytë në Santiago Bernabeu padyshim që u bë gjyqtari i ndeshjes me vendimet e dyshimta që dha. Në fillim akordoi një 11-metërsh të paqenë për Realin që u shndërrua në gol nga Ronaldo. Më pas, si për të balancuar situatën, gjyqtari i dha Barcelonës një 11-metërsh paksa të dyshimtë. Messi barazoi shifrat, ndërkohë që pas këtij goli Reali do t’i luante minutat e mbetura me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Ramos.

Golin e fitores skuadra e Martinos e shënoi në minutën e 83, sërish me 11-metërsh dhe sërish me Lionel Messin.

Me këtë tripletë, “Pleshti” argjentinas shkon në kuotën e 21 golave në ndeshjet Klasike duke kaluar legjendën e Realit Di Stefano që kishte shënuar 18.

Përveç kësaj, Messi bëhet lojtari i vetëm që shënon 2 herë 3 gola në El Clasico dhe gjithashtu shndërrohet në golashënuesin e dytë më të mirë të të gjitha kohërave të kampionatit spanjoll me 235 gola, 16 më pak se Zarra që mban vendin e parë.

Top Channel