Reformë sistemit bankar

22/03/2014 00:00

Selami Xhepa, thotë se ka ardhur koha që Shqipëria të ndërmarrë një reformë të thellë në sistemin bankar për të kufizuar rreziqet që ka nxjerrë në pah kriza ekonomike.

“Janë disa çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e krijuara midis Qeverisë nga njëra anë dhe sektorit bankar nga ana tjetër, probleme të cilat mund të krijojnë gjendje të vështirësive të likuiditetit në raste të situatave të caktuara, ka probleme të kapitalizimit të bankave të krijuar për shkak të ecurisë së kredisë problematike në ekonomi, ka probleme të rregullimit të tregut dhe të mënyrës së funksionimit të tregut dhe të mbikëqyrjes në vetvete”, thotë Selami Xhepa, ekspert ekonomie.

Dy ditë më parë FMN dhe Banka Botërore publikuan një raport që skanon me hollësi sistemin financiar të Shqipërisë. Raporti evidenton një sërë burimesh rreziku, që nga mpleksja e bankave me borxhin e Qeverisë e deri tek shkalla e lartë e euroizimit të tyre.

“Fakti që një pjesë e rëndësishme e aktivëve dhe pasivëve të sistemit bankar janë të denominuara në euro dhe kredia është e denominuar në euro dhe një pjesë e rëndësishme e operacioneve të bankave janë operacione të pambrojtura, ku kredimarrësit apo investitorët nuk kanë kontrata të mbrojtjes në tregjet financiare, i lë bankat të zbuluara përpara këtij rrisku”, thotë Xhepa.

Ekspertët e FMN-së kërkojnë forcimin e mbikëqyrjes dhe një rregullim më të fortë të sistemit, çka sipas Xhepës duhet të prekë edhe çështjet e menaxhimit të bankave.

“Vetë bankat duhet të ndjekin modelet të kujdesshme të menaxhimit të tyre të rriskut, pra kreditimi i ekonomisë dhe i sektorit privat nuk mund të jetë një çështje optimizmi dhe euforie të krijuar në mënyrë të pabazë, por duhet të kalojë në modele më të kujdesshme. Eshtë një tezë që është disktuar herë pas herë edhe në kontekstin tonë”, thotë Xhepa.

Por siç e thekson edhe raporti, ekspertët mendojnë se sistemi bankar në Shqipëri mbetet i shëndoshë.

“Nuk ka arsye për ndonjë krizë sistemike, që është ndoshta shkalla më e lartë e vulnebaritetit të ekonomisë dhe për të garantuar një zhvillim të shëndetshëm të ekonomisë, garantimi i këtij lloj stabiliteti është thelbësor”, thotë Xhepa.

Sistemi financiar në Shqipëri është zgjeruar me ritme të forta gjatë dekadës së fundit dhe aktualisht është sa 100 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Top Channel