“Lazarati”, një dorë që nuk duhet puthur

22/03/2014 00:00

ARBEN MANAJ – Deklarata e raportuar e numrit dy të Rendit në Shqipëri
për Lazaratin, nëse nuk është një lapsus, do të ishte prononcim
skandaloz, ku minimalisht do të neutralizohej deri diku me dorëheqje.

“Një dorë që s’kafshohet, puthet”, ishte atribuimi që i bëhet zëvendësministrit të Rendit, për çështjen e nxehtë të Lazaratit.

Padyshim që funksionari i lartë i rendit ka të drejtë kur thotë se çështja është komplekse, pasi i atillë është dhe dështimi shtetëror në këta 23 vjet, që fillimisht e ka toleruar dhe ka nxitur krijimin e një zone që konsiderohet mediatikisht si “metropoli i kanabisit në Europë”.

Frymëzimi dhe tolerimi politik i lulëzimit të megafshatit plantacion, dhe impotenca e pajustifikuar deri më sot për ta zvogëluar dhe për ta tkurrur, deri në një eliminim eventual të asaj që ndodh në këtë zonë problematike, përbën jo vetëm shkakun, por edhe pasojën e një simboli shqiptar të formës më të shëmtuar të ekzistencës së një vatre krimi.

Vërejtja e zëvendësministrit të Rendit drejtuar shoqërisë, por edhe medias për të ashtuquajturin Lazarat, është sa e çuditshme aq edhe e paprecendentë.

Është e këtillë, pasi do të ishte e papranueshme, nëse kjo që duket si kapitullim ndaj krimit, të ishte konfirmim i një politike apo qasjeje zyrtare.

Është e paprecendent, pasi askush nuk ka deklaruar deri më sot, të paktën publikisht dhe formalisht, se lufta ndaj Lazaratit qenka “një dorë që s’mund të kafshohet e për pasojë duhet puthur”, shprehje që më shumë ka vlerë në një raport ndërnjerëzor dhe assesi shtetëror.

Të gjithë e dinë se sa i vështirë është adresimi i çështjes, por në fund të fundit është detyrë e organeve të specializuara, e tërë faktorëve, përfshi doemos për shkak të specifikës, edhe atyre politikë, që një çështje kaq serioze dhe dëmtuese, që shpesh Perëndimi ia referon Shqipërisë si shembull të mossuksesit në luftën kundër krimit, që të formulojë një strategji që jo domosdoshmërisht të japë efekte të menjëhershme, por të paktën, të gjejë terapinë për ta shëruar me durim një fenomen që ka trajtën e shtetit brenda shtetit.

Të shprehesh publikisht se je i pafuqishëm ndaj luftës për dekanabizimin e Lazaratit do të thotë ta inkurajosh atë në rastin më inoçent, dhe jo vetëm elementët kriminogjenë në atë zonë, por tërë elementët kriminogjenë në Shqipëri.

Dhe kjo është e pafalshme, politikisht.

Imagjinoni nëse një deklaratë të tillë do ta bënte një homolog meksikan në rastin e luftës së tyre titanike kundër karteleve të drogës atje, një luftë aq e egër dhe me një kosto të jashtëzakonshme njerëzore dhe një egërsi të paprecedentë kriminale.

E sërish nuk është dëgjuar që lufta meksikane ndaj karteleve dhe sindikatave të atjeshme të kapitullojë formalisht nga goja e zyrtarëve kaq të lartë të rendit në atë vend.

Personalisht edhe publikisht kam shprehur admirimin tim të matur për sukseset e policisë shqiptare këta muajt e fundit dhe punën e admirueshme të funksionarëve më të lartë të rendit, nga ministri e drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi e meritojnë, për atë që kanë bërë. Por nuk do të doja kurrën e kurrës të besoja që një prononcim si ky, pavarësisht nga rrethanat apo sinqeriteti i pasofistikuar politik, të jetë konkluzion top-sekret, qoftë edhe i keqkuptuar për çështjen delikate të Lazaratit.

Policia dhe Rendi kanë nevojë jo vetëm për mbështetjen e publikut e medias, por edhe të opozitës, për domosdoshmërinë e hartimit të një strategjie funksionuese për ta hequr Lazaratin nga referencat europiane, si epitomi të mosfunksionimit të shtetit në Shqipëri, edhe pse opozita e sotme ka dështuar vetë deri dje, por edhe ka lidhje të caktuara politike me atë zonë.

Gjithsesi, kjo nuk do duhet ta frenojë atë, të paktën formalisht, në shenjë katarsisi hipotetik, të prononcohet kundër asaj që gëlon prej dekadash në Lazarat, apo kundër një deklarate të tillë disfatiste nga zëvendësministri i Rendit.

Kjo do të ishte më efektive se çdo deklaratë tjetër e opozitës se Shqipërisë i duhet statusi, që me paprekshmërinë e Lazaratit na dëshmon të gjithëve se nuk e meritojmë atë status.

Lazarati jo vetëm nuk duhet puthur, por përkundrazi duhet kafshuar “ligjërisht”, nëse nuk do të duam që nesër të shndërrohemi në një shtet kartelesh.

Nëse zëvendësministri do t’i përmbahet ende deklaratës së tij puthadorëse për Lazaratin, do të ishte mirë “të puthej me Milon”, të paktën politikisht.

Gazeta “Shqip”

Top Channel