Sharje, fyerje, shkelje e etikës, ajo që pamë të enjten në Parlament, në sallën ku duhet të debatohet dhe të votohet për të gjitha argumentet, që zgjedhësit shqiptarë u kanë votën politikanëve, padyshim na lanë një shije të hidhur, por pse kjo sjellje e klasës politike shqiptare edhe 23 vjet pas ndryshimit të sistemit? Për këtë argument është folur me të ftuarit në Revistën televizive të Mbrëmjes, në studio profesori i Gazetarisë dhe ish-deputeti i PD-së, Mark Marku, dhe në lidhje direkte Leida Ruvina, eksperte komunikimi.

Pandi Gjata: Si ekspert i komunikimit por dhe si ish-politikan, kur i shikoni pas pak kohësh këto skena në Parlamentin e Shqipërisë, këtë fjalor e këtë komunikim të atyre që janë votuar nga shqiptarët për të qeverisur e për të debatuar mbi hallet e tyre, si ndiheni?

Mark Marku: Të them të drejtën më ka bërë përshtypje që kur isha deputet dhe nuk është se më bën përshtypje tani që jam jashtë, përkundrazi, tani më bën edhe më shumë përshtypje gjuha e komunikimi jo vetëm në Parlament, por edhe jashtë tij, një gjuhë shumë agresive dhe diskriminuese në raport me kundërshtarin. Në njëfarë mënyre, më shumë se sa kundërshtarin fyen publikun, fyen qytetarin shqiptar.

Pandi Gjata: Më rëndë e keni parë kur ishit brenda apo tani që jeni jashtë Parlamentit?

Mark Marku: Nga jashtë është pak më e rëndë, sepse aty krijohet një lloj atmosfere gjysmë patetike, gjysmë gazmore dhe njeriu e humbet pak atë sensin kritik. Por, kur e shikon nga jashtë është më e rëndë, sidomos kur e shikon në sensin e asaj se si duket edhe nga publiku. E rëndë është edhe nga fakti se po përsëritet e njëjta gjë në mënyrë të vazhdueshme, duke mos pasur më një incident komunikimi, por kemi të bëjmë me një standard komunikimi.

Pandi Gjata: Pse ky stil i zgjedhur prej politikanëve shqiptarë?

Mark Marku: Mendoj se ka të bëjë me paaftësinë për të dhënë zgjidhje politike e për të shtruar alternativa. Pra, për të bërë sa më të aftë nga pikëpamja politike të jenë, si aktorët e qeverisjes, si ata opozitarë për të dhënë alternativa, aq më pak nevojë ka për detraktimin e kundërshtarit dhe sulmin ndaj tij. Me pak fjalë, në qoftë se ke ide, nuk përqendrohesh se kush i thotë këto ide dhe çfarë është personi që i thotë idetë. Në momentin që mungojnë idetë, atëherë debati përqendrohet te personi që artikulon idetë dhe në këtë kuptim shndërrohet pastaj në një lojë. Por, ajo që është e rëndësishme e që duhet pasur parasysh është se, e para, ky ligjërim shumë i ngarkuar e tensionon situatën dhe krijon një realitet politik, sepse diskursi politik njihet në teoritë e komunikimit që diskursi prodhon realitet. Shpesh herë është realiteti që prodhon ligjërime të caktuara, ndërkohë që edhe një ligjërim i caktuar mund të prodhojë një realitet. Në këtë kuptim, një përfaqësim i deformuar i realitetit shqiptar është edhe një nxitës i një realiteti konfliktual. Duhet pasur parasysh se publiku nuk e shikon lojën politike siç shihet nga aktorët politik, si një lojë me maska, ku secili merr një rol dhe sapo dalin nga skena menjëherë ndryshon situata. Publiku shpesh herë e merr seriozisht lojën e politikanëve dhe e kthejnë në realitet, gjë që përthyhet më pas edhe në gjendjen sociale të vendit.

Pandi Gjata: Publiku, dinamikën apo zhvillimin e komunikimit, atij komunikimi të rrjeteve sociale, e ka ndjekur edhe këtë zhvillim të së enjtes. Le të shikojmë disa komente në rrjetet sociale se si e kanë pasqyruar këtë fjalor, këtë shkelje të etikës. Për një opinion në këtë pjesë të bisedës na bashkohet edhe Leida Ruvina, eksperte e komunikimit, duke e vazhduar së bashku komunikimin. Përshëndetje Leida, si e ke ndjekur këtë zhvillim të së enjtes, perceptimin, gjithmonë si eksperte e komunikimit, me sharje, fyerje, shkelje të etikës. Ju jepni komunikim, si e keni parë këtë gjë?

Leida Ruvina: Në fakt, në perceptimin tim, Parlamenti mund të krahasohet me atë që mund të jetë një sallë universiteti. Në vend që në një seminar të kesh një minimum prej 20 apo 30 studentë dhe në leksione një auditor prej 300 apo 400 studentësh, Kuvendi është i përbërë nga një numër relativisht i përballueshëm “studentësh”, me të cilët një moderator i mirë dhe duke pasur mundësinë e një mikrofoni, i cili mundëson arritjen e zërit pa lodhje të mëtejshme, është i mundur krejtësisht një komunikim normal, nëse një moderim është i mundshëm.

Pandi Gjata: Mos ndoshta janë “studentët” më të vështirë këta?

Leida Ruvina: Do të thoja që universitetet shqiptare, sidomos në periudha zgjedhore dhe ne kemi pasur jo pak, mjafton të kujtohen ato parlamentare të 2009-s dhe ato lokale të 2011-s, universitetet tona janë të karakterizuara nga simpatizantë e aktivistë të së majtës dhe të djathtës, apolitikë, nga veriu dhe nga jugu, me çdo eksperiencë dhe prejardhje, gjinie e feje, pra janë një ambient mjaftueshmërisht të larmishëm, gjë që më bën të mendoj se me një moderim të mirë është i mundur dhe një komunikim i mirë. Ajo që pash në Parlament të enjten, më bëri të mendoj për atë që do përjetojmë në Qershor. Në rastin e një përgjigjeje pozitive nga Bashkimi Europian, ne nuk bëhemi një vend i BE-së, ashtu si një maturant në momentin që i del një e drejtë studimi nuk merr automatikisht diplomën Bachelor të universitetit. Ka kohë për të shkuar deri atje. Në të njëjtën mënyrë, ne në Qershor nëse plotësojmë disa kushte, ne fitojmë të drejtën dhe statusin për të qenë kandidat dhe, nëse jemi me fat dhe plotësojmë disa reforma e disa standarde, ne për 10 vjet mund të bëhemi një vend i BE-së.

Pandi Gjata: Pra ju thoni se ne, edhe nëse marrim këtë status, nuk e meritojmë të jemi të barabartë me qytetarët europianë, nga kjo gjuhë, sjellje e nga ky komunikim? Kështu mund ta përkthejmë?

Leida Ruvina: Janë disa kërkesa të shkruara nga BE, ashtu siç kemi edhe ne disa ligje të shkruara të cilat nuk duhet t’i shkelim, rasti i shpifjes dhe denigrimit janë të parashikuara në legjislacion dhe ashtu si në disa raste të tjera shqiptare, ne na mungon implementimi i këtyre ligjeve, më shumë se sa mungesa e një kuadri të caktuar ligjor. Mënyra se si u zhvillua një debat, më bëri të kujtoj gjithashtu se në realitetin shqiptar, një prej personave të përfshirë në atë komunikim ka pasur një pasojë ligjore, pikërisht si pasojë e atij komunikimi të konsideruar jo etik, ka pasur një gjyq për shpifje nga ana e Anita Ramës, i zhvilluar dhe që gjykata ka vendosur se personi në fjalë, ish-kryeministri Berisha, është i pafajshëm sepse në Parlament një person nuk ka përgjegjësi për ato që mund të thotë në foltore. Duke e respektuar vendimin e gjykatës dhe aftësinë e avokatëve mbrojtës të çështjes, unë e shikoj këtë detaj si një provë që më bën të mendoj se ne të gjithë bëjmë atë gjë, që mendojmë se mund ta bëjmë. Kur ne e dimë që mund të kemi një pasojë, atëherë ne përpiqemi të vetëpërmbahemi. Kur e dimë që ka një pasojë ligjore, një dëmshpërblim ekonomik, ndoshta dhe një faj moral se çfarë do mendojë opinioni publik ndaj meje, ne arrijmë të përmbahemi, në të kundërt ne e lëshojmë veten.

Pandi Gjata: Profesor Marku, për të bërë edhe konkluzionin e një bisede të nisur, impakti që është te njerëzit dhe si mund të ndryshojë kjo lloj sjelljeje dhe ky lloj komunikimi?

Mark Marku: Nëpërmjet komunikimit publik, krijohen edhe modelet e komunikimit të një shoqërie dhe, në këtë rast, ne ndikojmë në krijimin e modeleve të komunikimit, që praktikisht janë të papranueshme në botën moderne. Së dyti kemi një tensionim të situatës politike dhe asaj sociale, që është krejt i panevojshëm dhe është një problem shtesë mbi problemet që ka shoqëria shqiptare. Së treti, mendoj që standarde të tilla komunikimi janë të papranueshme le të themi për vende normale e demokratike, sepse po t’i analizosh, brenda këtij lloji komunikimi ka disa lloj racizmash: moshor, lokal, gjinor etj., të cilat janë të patolerueshme dhe mendoj se po të mbledhësh vetëm këtë “dialog” le ta quajmë të seancës së fundit të sharjeve e debatit në Kuvend dhe ta krahasosh me politikën europiane, në 20 vitet e fundit Europa nuk i ka prodhuar gjithë këto sharje e etiketime, sa janë prodhuar në 20-30 minuta në Parlamentin shqiptar. Mendo po t’i mbledhësh të gjitha bashkë. Është e pamundur të mendosh që, njerëz që nuk kontrollojnë veten, diskursin e tyre, ligjërimin dhe trurin e tyre, të mund të ndërtojnë sisteme që qeverisin shoqërinë. Ka një efekt te shoqëria, siç i thamë, por edhe te vet politikanët: besimi te klasa dhe sistemi politik bie dukshëm, qytetarët nuk kanë më besim te politikanët, nëse ata vazhdojnë të delegjitimojnë njëri-tjetrin në këtë formë dhe kjo rrit atë që quhet depresion social, që reflektohet në të gjitha elementët e një krize sociale të shoqërisë. Aktorët politikë nuk e kuptojnë pasojën që prek edhe ata vet, kur përpiqen të delegjitimojnë kundërshtarin. Madje vëmë re se publiku, hiq një pjesë ekstreme që e dëshiron këtë gjuhë, në pjesën më të madhe të rasteve dënon më shumë atë politikan që artikulon sharjen, se sa atë që pëson sharjen.

Pandi Gjata: Leida, një koment të fundit edhe për një fakt që ti ke studiuar, me cilin vend mund të krahasohemi, nëse mundet ta bëjmë këtë krahasim, me këtë fjalor dhe me këtë që ndodh në Shqipëri?

Leida Ruvina: Meqë është përmendur disa herë në Shqipëri termi “berishizëm”, më vjen ndërmend një term i ngjashëm i përmendur në fqinjin tonë përtej Adriatikut, “berluskonizmi”, lidhur me një lloj fjalori në publik referuar disa termave racistë në kuadër të prejardhjes, qoftë sa i përket përkatësisë gjinore, me një fjalor seksist, apo racës, pse jo edhe përkatësive politike. Mendoj se një nga problemet e personave që studiojnë jashtë dhe më pas kthehen në Shqipëri, është një lloj mendimi se gjithçka kanë bërë në teori jashtë, apo kanë parë në praktikë jashtë, mund të njehsohet me realitetin shqiptar. Nuk mendoj se është ky rasti. Në qoftë se Susan Sontag shkruan se një bombardim imazhesh të caktuara, si rasti i masakrave në Bosnjë-Hercegovinë, në fillim shkaktojnë një impakt, një traumë, një dhimbje e një empati, pas një vazhdimi konstant të krijon një lloj indiference e apatie deri sa ndërron kanalin, shfleton pa lexuar faqen e gazetës dhe të bëjnë të mos ndihesh më asgjë, nuk mendoj se ky është rasti i Shqipërisë krahasuar me kontekstin italian. Edhe krahasuar me reagimet në rrjetet sociale, çdo fjalim e dalje joetike e ish-kryeministrit Berlusconi është shoqëruar me një duf shumë të madh te rrjetet sociale, por të mos harrojmë se atij personi mund t’i bëhet një gjyq për sa i përket komunikimit politik, mund të bëhet edhe një analizë shkencore, mund të mbrohen edhe diploma për mënyrën se si mund të jetë larë truri i italianëve në 20 vitet e liberalizimit televiziv, por asnjëherë në të gjithë karrierën politike Berlusconi dhe Italia nuk ka pasur problem numërimin e votave, një karakteristikë e jona. Mendoj se sondazhet paraelektorale që e bashkojnë Shqipërinë me Italinë, ku e nxjerrin shkallën e besueshmërisë te partitë politike në vendin e fundit, ndryshe nga Italia ku ato persona të sulmuar në fund të fundit i ka votuar dhe i ka përzgjedhur, kujtojmë se Berlusconi është larguar nga politika duke dhënë dorëheqjen, ne i kemi larguar me votë ato persona që nuk na përfaqësojnë, apo kemi vendosur një rotacion të klasës politike.

Pandi Gjata: Besoni se do të ndryshojë komunikimi?

Leida Ruvina: Mendoj se me një vullnet të mirë është e mundur gjithçka dhe me një moderim të mirë e zbatim të ligjeve, të cilat qoftë brenda sallës së Kuvendit, qoftë jashtë tij, bëjnë të mundur një disiplinim të asaj që shumë studentë të “Bachelor”-it arrijnë ta bëjnë shumë më mirë se sa ata që janë në një moshë të madhe dhe në një profesion tepër të lartë, që e bën të pajustifikueshëm këtë lloj niveli komunikimi.

Pandi Gjata: Profesor Marku, edhe për ju e njëjta pyetje, besoni se mund të ndryshojë komunikimi?

Mark Marku: Besoj se do të ndryshojë, por jo në një peridhë afatshkurtër, ndoshta do të duhen 4-5 vjet, sepse ky lloj komunikimi do të nxjerrë vet aktorët politikë jashtë skenës politike, si dhe kur publiku të jetë i vetëdijshëm për rrezikun që paraqesin këto aktorë me kaq pamundësi për të kontrolluar veten e tyre. Por do të duhen të paktën edhe 4-5 vjet për të ndodhur kjo…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA