“El Clasico”, barazimi nuk vlen

22/03/2014 00:00

Koha kur trajnerët e Realit dhe të Barcelonës shtynin deklaratat sa më gjatë në përpjekje për të dëgjuar dhe më pas për t’iu kundërpërgjigjur kundërshtarit, duken të largta tashmë.

Bëhet fjalë për ditët kur katalanasit drejtoheshin nga Pep Guardiola dhe madrilenët nga Jose Mourinho. Por ditët kanë ndryshuar dhe bashkë me to edhe trajnerët respektivë.

Në vigjilje të përballjes së madhe të së dielës, trajneri i Realit, Carlo Ancelotti dhe ai i Barcelonës, Tata Martino flasin thuajse njëkohësisht për mediat dhe që të dy me synimin e vetëm; fitoren.

Tekniku italian tha se “kjo ndeshje i jep emocione unike”, ndërsa ai argjentinas i katalanasve kërkoi fitoren me cdo kusht, për të mos humbur mundësitë për titullin kampion në Spanjë.

Carlo Ancelotti, trajner i Real Madrid: E kam deklaruar edhe më herët. Unë kam qenë ndër ata persona që paguaja abonimin për të parë ‘El Classico’ në televizor, tani mund ta përjetoj vetë atë si protagonist, çka më jep emocione dhe lumturi të pamasë sepse janë shumë kolegë që do të dëshironin të ishin në vendin tim. Shpresoj ta nderoj këtë privilegj duke gabuar sa më pak që të jetë e mundur. Nuk do hyjmë në fushë për të barazuar”.

Tata Martino, trajner i Barcelonës: Ne jemi të detyruar të fitojmë. Është mundësia jonë e fundit. S’është e njësoj të përmbysësh 1 pikë nga 4 apo 7 pikë nëntë javët e fundit të kampionatit, sepse skuadrat e mëdha nuk gabojnë kaq shpesh, ndaj barazimi për ne nuk është një rezultat i mirë”.

Real Madrid-Barcelona luhet të dielën më 23 mars në orën 21:00 në “Santiago Bernabeu” dhe transmetohet direkt në platformën sportive SuperSport të Digitalb.

Top Channel