Prezantohet Kodi i ri Doganor

21/03/2014 00:00

Qeveria prezantoi nga porti i Durrësit, Kodin e ri Doganor përmes të
cilit synohet lehtësimi dhe thjeshtimi i procedurave doganore për
biznesin, njëkohësisht përafrimi me legjislacionin europian për doganat. 

Kryeministri Edi Rama e përshkruajti Kodin e ri, si një instrument, i cili do të rrisë sigurinë për importuesit dhe eksportuesit shqiptarë, njëkohësisht nisjen e një epoke transformimi, duke patur një qasje të re me biznesin, të cilin e quajti një partner strategjik.

“Do të ecim me shpejtësi për të futur sportelin unik, për t’ju bërë ju të gjithëve që të mos shkoni nga një frëngji, në një frëngji, nga një derë nga mbrapa, tek një korridor nga përpara. Gjithë shërbimet e 15 agjencive të ndryshme shtetërore, që lidhen me eksportin dhe me importin dhe që duhet të japin vulën e tyre, duhet të japin dritën e tyre jeshile, të bëhen në kohë reale, në të njëjtin vend dhe pa letra. Jo shumë vende e kanë. Vende të Bashkimit Europian, sot janë duke e futur. Për biznesin, koha është flori dhe shkuar floririt. Sporteli unik sjell vlerën e kohës, në sjelljen e shtetit ndaj biznesit”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi vendosmërinë e Qeverisë për mos të falur asnjë doganier apo punonjës të shtetit, që pengon apo torturon biznesin. Ata, tha Kryeministri, do të përballen me rrufenë e shkarkimit nga puna dhe çuarjen përpara drejtësisë.

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali shpjegoi me detaje përmbajtjen e Kodit të ri, të cilin e quajti një risi.

“Unifikim i rregullave dhe praktikave, kalimi i një mjedisi doganor elektronik, pa letër, aplikimi i procedurave të thjeshtuara dhe operatorët ekonomikë të autorizuar, saktësimin e dispozitave mbi kohën dhe vendin ku lind një borxh doganor, me qëllim që të evitohen vështirësitë dhe zgjidhja juridike, mundësimi i përdorimit të një garancie të vetme globale për disa regjime dhe mbulimin e disa transaksioneve me një garanci të vetme, garantimi i çlirimit të shpejtë të mallrave, kur operatori ekonomik jep paraprakisht informacionet e nevojshme për kryerjen e kontrollit dhe analizën e rriskut”, tha Spiropali.

Top Channel