Një “Pasdite” me Foto Strakoshën

21/03/2014 00:00

Foto Strakosha ishte i ftuari i radhës i emisionit ‘Pasdite në Top Channel’. Ish-kapiteni dhe portieri i përfaqësueses shqiptare të futbollit kujtoi momentet e bukura të karrierës dhe shpjegoi pse nuk donte që dy djemtë të ndiqnin hapat e tij në jetën profesionale.

4 shtator 2004, fitorja ndaj Greqisë – Ky ka qenë një nga momentet më të rëndësishme të karrierës. Nuk ishte vetëm kënaqësia e 90-minutëshit në fushë, por kënaqësia që i falëm të gjithë shqiptarëve me atë fitore. Nga më i vogli e deri tek më i madhi ishin të lumtur.

Profesioni – Futbolli më ka dhënë mundësinë për të njohur më shumë njerëz dhe për t’u afruar më shumë me ta.

Temperamenti – Kur humbet, gjithçka të duket e keqe, por e rëndësishme është të korrigjohen gabimet pasi futbollisti ka ndeshje të tjera para. Në kombëtare kemi pasur një shoqëri të shëndetshme dhe nuk kishte nevojë për të bërtitura nga ana ime.

Trajner i kombëtares U-19 – Është mosha më delikate si nga ana profesionale, ashtu edhe nga ana njerëzore. Unë e kam pranuar këtë detyrë për të ndihmuar futbollistët e rinj. Nuk jam vetëm trajner, por edhe përzgjedhës pasi ka mijëra futbollistë të rinj që luajnë dhe që duan të bëhen futbollistë të mirë.

Talenti – Duhet shumë punë e përkushtim përveç talentit. Kur shihni Messin apo Cristianon, të jeni të bindur se ajo që tregojnë në fushë është sakrifica e shumë viteve dhe jo vetëm aftësi personale.

Martesa – Rashë në dashuri me gruan që në shkollë të mesme. Ajo e ndjek sportin pasi tani ka edhe dy djem futbollistë. Ajo shkon në palestër dhe do që ta shoqëroj, por mua më ka ardhur në majë të hundës aktiviteti fizik.

Familja – Të dy djemtë janë futbollistë. Unë doja të merreshin me sport, por jo ta bënin profesion. Kam qenë i ashpër pasi e di se çfarë duhet të sakrifikosh për t’u bërë profesionist dhe për të jetuar me futbollin.

Top Channel