Alpinistët “pushtojnë” Gramozin

21/03/2014 00:00

Promovimi i qarkut të Elbasanit, por edhe pasioni, aventura dhe
vendosmëria për të arritur majën janë arsyet që i shtyjnë alpinistët të
pushtojnë malet.

Aventura e radhës e ekipit të alpinizmit të Elbasanit ka qenë ngjitja e majës së tretë më të lartë të vendit tonë, atë të Gramozit, me lartësi 2.523 metra. Rruga deri në majë të malit ka zgjatur rreth 7 orë ecje në këmbë mes dëborës dhe diellit, në një bardhësi verbuese.

“Jemi drejt shtegut drejt majës, pas pak kemi për të shkelur borën. Bora do të na shoqërojë gjatë gjithë rrugës, por ne për borën kemi ardhur”, tha Artur Guni, trajner i ekipit të alpinizmit të Elbasanit.

Temperaturat e ulëta kishin bërë që bora të kthehej në akull, duke shtuar rrezikun e ecjes në këtë lartësi të madhe. “Maja e Gramozit është e dyta herë, por me këto përmasa është hera e parë. Jemi 36 vetë. Është një arritje për federatën e alpinizmit”, deklaroi Guni.

Dhe triumfi i arritjes së majës nuk mund të kuptohet pa himnin e alpinizmit, këngën e zigagut, që mbi të gjitha simbolizon guximin dhe vendosmërinë për të arritur suksesin.

Top Channel