Ahmetaj: Nuk i rrisim taksat

20/03/2014 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj deklaron se qeveria nuk ka asnjë detyrim nga marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të rritur taksat mbi biznesin dhe qytetarët.

“Nuk ka marrëveshja detyrim për qeverinë që të rrisë taksat. Detyrimi ynë është krijimi i premisave për rritje ekonomike të shëndetshme e cilësore. Nuk ka detyrime as për rritje të taksave, as për çmimin e energjisë, as për ngrirjen e rrogave dhe pensioneve. Rritja e pagave dhe pensioneve përmes taksës progresive nuk është rritje?”, deklaron Ahmetaj.

Në marrëveshje qeveria është angazhuar që të ulë borxhin publik në 65 për qind brenda vitit 2016 dhe sipas rekomandimeve të FMN, pjesa kryesore e këtij konsolidimi duhet të vijë nga rritja e të ardhurave.

“Rritja e të ardhurave nuk vjen patjetër nga rritja e taksave, por ajo e ekonomisë. Po ta shohësh fokusi nuk është tek taksat, por tek rritja ekonomike dhe reforma në administrim”, nënvizon Ahmetaj.

Por veç rritjes së të ardhurave, ulja e borxhit do të kërkojë ndërhyrje edhe në kahun e shpenzimeve, përkatësisht në skemën e pensioneve, ku FMN rekomandon rritjen e moshës në 65 vjeç për gratë dhe 67 për burrat.

“Sistemi i pensioneve në çdo reformë është gradual, 15-20-25-vjeçar. Edhe nëse do ketë rritje moshe, atë do ta kemi ti dhe unë kur të vijë dita për të dalë në pension dhe jo prindërit tanë që kanë dy, tre ose 10 vjet për të dalë në pension”, saktësoi Ahmetaj.

Qeveria e quan marrëveshjen me Fondin një lajm të mirë për ekonominë dhe qytetarët, e cila sipas ministrit të Ekonomisë ndalon rrënimin e ekonomisë dhe rikthen rritjen.

“Kjo është një marrëveshje zhvillimi që lejon qeverinë të vijojë investimin në ekonomi, të ketë ulje serioze taksash për shtresën e mesme dhe të ulët”, vijoi Ahmetaj.

Fondi Monetar Ndërkombëtar akordoi mbi 300 milionë euro kredi për qeverinë, para të cilat do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit.

“Marrëveshje mosbesimi me FMN”
Bode: Rritja e taksave dhe çmimi i energjisë do i rëndojë qytetarëve

Ndërkohë përveç debateve mes ish-kryeministrit Berisha dhe kryeministrit Rama, për këtë çështje foli edhe ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

“Nuk ka ndodhur kurrë, që një qeveri e sapozgjedhur me mbështetje të gjerë popullore të vendoset në një karantinë kaq të egër dhe aspak në përputhje me zhvillimet ekonomike në Shqipëri. Mendoj që gjithë konsideratat e shprehura në bordin e drejtorëve, të publikuara sot, por dhe termat e publikuara të marrëveshjes reflektojnë këtë mungesë besimi. Madje, mungesa e besimit shkon edhe më tej, deri në ngritjen e një monitori tjetër të pavarur, për të mbikqyrur implementimin e marrëveshjes. Bëhet fjalë për vendosjen e 10 taksave të reja apo rritjen e tyre, ndryshime në strukturën fiskale, sikurse dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike duke filluar nga muaji Qershor i këtij viti, dhe çmimet e shërbimeve të tjera publike që ofrohen nga administrata publike, qoftë lokale apo qendrore. Shqetësues është fakti që në tërësi, marrëveshja është një marrëveshje mosbesimi dhe jo besimi. Në qoftë se për ekonominë greke një paketë e tillë u ndërmor në disa hapa apo faza dhe kundrejt një konsultimi të gjerë, edhe publik, në Greqi, ne vendosemi përballë një pakete edhe më të egër nga ajo greke në mënyrë të menjëhershme, thjesht për të mbajtur stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik dhe nuk ka të bëjë aspak me një marrëveshje që nxit ekonominë dhe rritjen ekonomike të saj”, tha Ridvan Bode.

*** Intervista e plotë ***

Arben Ahmetaj deklaron për Top Channel se marrëveshja me FMN-në ka vetëm një qëllim, rritjen e ekonomisë. Ai thekson se nuk ka asnjë detyrim për të rritur taksat apo çmimin e energjisë elektrike. Ahmetaj shpjegoi marrëveshjen me FMN-në dhe efektet e saj.

TCH: Zoti ministër, Fondi Monetar ka publikuar marrëveshjen që ka me qeverinë shqiptare, të cilën ju e konsideroni si një lajm të mirë. Pse?

Arben Ahmetaj: Ka arsye themelore në fakt që marrëveshja me FMN-në është lajm i mirë për ekonominë shqiptare. Mbi të gjitha është një marrëveshje rritjeje ekonomike, duke ndryshuar traditën e atyre të mëparshme me qeveritë në Shqipëri. Kjo është një marrëveshje zhvillimi, e cila lejon qeverinë shqiptare të vazhdojë të investojë në ekonomi, në tërësinë e vet e lejoi qeverinë të ketë ulje taksash për klasën e mesme dhe të ulët, siç ishte ulja e taksës për 97% të shqiptarëve, e cila sjell drejtpërdrejtë një rritje pagash. Këtë, në fakt, e tregon edhe konsumi në muajt Janar e Shkurt, si dhe të dhënat operative që kemi për Marsin. Në të njëjtën kohë, marrëveshja me FMN garanton një rritje të shëndetshme e të qëndrueshme me binarë të fortë fiskalë, me një ambicie të kthyer në objektiv zyrtar të qeverisë shqiptare për të ulur borxhin publik në 65% të PBB-së në fund të vitit 2016, pra nga 73% që është sot praktikisht. Arsyeja pse është borxhi është kaq, është se qeveria Rama trashëgoi minimalisht, me atë skanim që kemi ne dhe që vazhdon edhe sot që flasim, borxhe të padokumentuara, të paregjistruara në llogarinë e shtetit si borxhe, rreth 720 milionë dollarë. Ndërkohë, marrëveshja ka autorësinë e plotë të qeverisë shqiptare, është një ndërgjegje e saj, në njërën anë të të parit të gjendjes ekonomike aktuale në sy, dhe në anën tjetër të pranuarit të proceseve të reformave që ne duhet të ndërmarrim e që kemi filluar ta bëjmë, në mënyrë që në periudhë afatmesme ekonomia shqiptare të jetë gjithnjë në rritje, të ketë garantuar një trajektore të plotë rritjeje në 3-5 apo më shumë vite në vijim, dhe që qytetari shqiptar të jetë përfituesi i drejtpërdrejtë i kësaj rritjeje ekonomike, që do të gjenerohet nga zgjerimi i vendeve të punës, nga thithja më e madhe e investimeve të huaja, nga promovimi i investimeve vendase e të huaja, dhe nga një injektim serioz në ekonomi vetëm këtë vit prej 1,1 miliardë. Vetëm transparenca dhe pagesa e borxheve të vjetra, si TVSH-ja e papaguar, shërbime të papaguara, kontrata qeveritare të papaguara, apo tatim-fitimi i grabitur bizneseve, na sjell në një nivel të ri qoftë transparence, qoftë klime biznesi, qoftë premisazh pozitive të një rritjeje të qëndrueshme.

TCH: Ashtu siç ju e përmendët, qeveria është e angazhuar të ulë borxhin në 65% deri në vitin 2016 dhe 60% në vitin 2019 në marrëveshje, një angazhim që sipas ekspertëve të FMN do të bjerë kryesisht mbi kahun e të ardhurave, mund të na sqaroni më konkretisht se cila pjesë e të ardhurave, apo cilat taksa do të ndryshojnë?

Arben Ahmetaj: Kur flasim për të ardhurat, nuk do ta përjashtoja administrimin, nuk flasim për rritje taksash, por flasim për zgjerim të aktivitetit ekonomik, apo rritje ekonomike. Rritja e të ardhurave nuk vjen domosdoshmërisht nga rritja e taksave, por vjen kryeisht nga rritja e ekonomisë. Siç shihet, fokusi nuk është te taksat e reja, por te dy elementë kryesorë: te rritja ekonomike dhe reforma në administrim, dy prej shtyllave kryesore të rritjes së të ardhurave. Pra, po flasim për rritje të qendrueshme ekonomike afatgjatë. Cila është arsyeja që ne e vëmë fokusin te thithja e investimeve vendase e të huaja? Ne e dimë shumë mirë që Shqipëria e ka konsumuar mundësinë e të marrit borxh, u abuzua me marrjen e tij dhe me fshehjen e tij. U abuzua me çdo gjë që shqiptarët dhe ekonomia do të duhej të përfitonin. Ka ardhur koha që gjërat të dalin në dritë të diellit siç janë dhe kjo është një nga arsyet e hyrjes në këtë marrëveshje, që gjërat të jenë transparente. Një nga arsyet e thirrjes së FMN-së është e kundërta e asaj që Sali Berisha refuzoi. E refuzoi FMN-në se deshi të vazhdonte të gënjente, të abuzonte me financat shqiptare, të gjobiste bizneset, të grabiste qytetarët shqiptarë, të keqardministronte ekonominë shqiptare dhe të bënte ato që bëri me tenderat publikë, apo me pensionistët, apo me ilaçet. Ndërsa ne e thirrëm FMN-në që, jo vetëm të bëjmë transparente atë që ka ndodhur, por të vëmë shtylla besimi të shëndosha dhe të maturuara për zhvillimin ekonomik. FMN në këtë rast është një partner në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

TCH: Gjithsesi, në të njëjtën marrëveshje, aty ku janë publikuar disa rekomandime të ekspertëve të FMN, që lidhen kryesisht me ndërhyrjen te të ardhurat dhe prekjen e disa taksave, ju mohoni që do të ketë ndërhyrje në këto taksa vitin tjetër, apo edhe në vijim?

Arben Ahmetaj: Marrëveshja nuk ka detyrim për qeverinë shqiptare, për të rritur taksat. Detyrimi që ne kemi përballë qytetarëve shqiptarë është që të krijojmë të gjitha premisat për rritje të shëndetshme ekonomike. Nuk ka detyrim gjithashtu për rritje të çmimit të energjisë, as detyrim për ngrirjen e pagave apo të pensioneve. Paga e policëve, paga reale që iu rrit 97% të punësuarve në Shqipëri nëpërmjet taksës progresive, tregojnë për një rritje pagash. Në fakt, taksa e sheshtë i dërrmoi pagat reale, duke i ulur ato. Mjafton të shikoni konsumin. Vazhdoj ta them se marrëveshja me FMN-në është një lajm i mirë për qytetarët shqiptarë dhe kjo ka filluar të ndjehet. Po ju them edhe një gjë tjetër: marrëveshja, siç shprehen dhe anëtarët e bordit të drejtorëve të FMN, është besim ndaj qeverisë shqiptare se është në gjendje të bëjë atë që premtoi.

TCH: Një pyetje që lidhet me politikat buxhetore dhe me një reformë të përfolur e tashmë të nisur nga qeveria, ajo e sistemit të pensioneve. Ka një rekomandim të shkruar në dokumentin e përgatitur nga ekspertët e FMN-së për rritje të moshës së pensionit në 65 vjeç për gratë dhe 67 për burrat, një formë që mbetet afatgjatë. A do shkojë qeveria shqiptare në këtë drejtim dhe a do të merret parasysh rritja e moshës së daljes në pension?

Arben Ahmetaj: Dy gjëra janë të rëndësishme në lidhje me pensionet dhe reformën për to. E para, kështu siç është katandisur sistemi i pensioneve në Shqipëri nuk garanton pleqërinë e bardhë të askujt nga ana financiare, kështu që ka domosdoshmëri për një reformë dhe do ta bëjmë këtë gjë. Ne do ta stabilizojmë sistemin e pensioneve në mënyrë që kushdo që del në pension të jetë i sigurt që do të marrë atë që ka kontribuar në vite dhe asnjëherë nuk do t’i mungojë baza financiare për të pasur një pleqëri normale. E dyta, nga ana fiskale, siç është sot rëndon padrejtësisht sistemin mbi shumicën e shqiptarë, qoftë pensionistë, qoftë të punësuar. Duhet të ndërtojmë një sistem të shëndetshëm. Dhe së treti, sistemi i pensioneve në çdo reformë të vet është gradual, 15-20 apo 25-vjeçar, që do të thotë se, edhe nëse do të ketë rritje moshe do ta kesh ti dhe unë, kur të vijë dita për të dalë në pension dhe jo ata që duan edhe 2-3, apo 5, apo 10 vite për të dalë në pension. Është një reformë graduale që kërkon 15 deri në 20 vjet dhe efektet pozitive financiare do të ndihen shumë shpejt, në kuadrin e 3-5 viteve dhe shëndetshmëria besoj se do të jetë e konsoliduar brenda 10 viteve.

TCH: Zoti ministër, ju thoni se nuk ka detyrim dhe nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë. Kjo për të gjithë konsumatorët, apo keni parasysh vetëm familjarët? Për bizneset a garantoni sërish të njëjtën gjë?

Arben Ahmetaj: Do t’iu them 3 elementë në lidhje me këtë pyetje. E para, ne nuk kemi detyrim për rritjen e çmimit të energjisë, por të përmirësojmë sektorin energjitik, të ulim humbjet teknike jo vetëm në shpërndarje, dhe të garantojmë shëndetshmërinë në të gjithë zinxhirin energjitik. Së dyti, e them drejtpërdrejt: Familjet shqiptare do të mbrohen si asnjëherë tjetër. Nuk ka për të ndodhur që një familjeje shqiptare t’i rritet çmimi i energjisë dyfish, por do të mbrohen drejtpërsëdrejti nga politikat buxhetore, që ne kemi planifikuar për këtë vit dhe ato që vijnë. E treta, qeveria shqiptare ka një sfidë shumë të madhe në lidhje me sektorin elektro-energjitik. Ashtu siç është lënë sektori ka rreth 1 miliard dollarë borxh dhe, në vend që të ishte një gjenerator punësimi e të ardhurash, ka qenë dhe vazhdon të jetë gjenerator krize. Ne jemi përfshirë seriozisht në detaje të reformës të sektorit, si në afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Fatmirësisht jemi së bashku me Bankën Botërore dhe me institucione të tjera ndërkombëtare, që po punojmë për të arritur në një pikë, ku sistemi do të ketë shëndetshmëri afatgjatë.

Top Channel