Champions, M. United kërkon përmbysjen

19/03/2014 00:00

Mbrëmja e sotme do të ofrojë dy ndeshje të tjera të 1/8-ve Ligës së Kampioneve: Borussia Dortmund do të presë Zenitin, ndërsa Manchester United do të përballet me grekët e Olympiakosit.

Duke qenë se në kampionatin gjerman nuk kanë më shpresa, verdhezinjtë e Jurgen Klopp kërkojnë të vazhdojnë aventurën në Champions duke kaluar në çerekfinale. Ndeshjen e parë e kanë fituar në Rusi me rezultain 4-2, Zeniti për momentin drejtohet nga Sergey Semak pas shkarkimit të Spalletit dhe në pritje të marrjes së detyrës nga Villas Boas, por gjithsesi Dortmundi e ka marrë seriozisht sfidën.

“Do të luajmë pjesën e dytë të eliminatores. Nuk duam të rrezikojmë, por kjo nuk do të thotë që do të futemi në fushë për t’u mbrojtur”, tha Klopp në konferencën për shtyp.

Në ndeshjen tjetër, Manchester United e sheh veten në një pozitë shumë të vështirë. Anglezët humbën ndeshjen e parë 2-0 dhe mund të kualifikohen vetëm me anë të një fitoreje në Old Trafford me 3 ose më shumë gola diferencë.

Champions League është kompeticioni i vetëm ku Djajtë e Kuq janë ende “gjallë”, por pas humbjes me Liverpool në fundjavë (0-3), askush nuk pret që skuadra e David Moyes të kalojë këtë fazë, pavarësisht se përballë kanë një kundërshtar modest.

Top Channel