
Pekini i ka pushtuar shpesh herë titujt e gazetave nëpër botë kur flitet për nivelin e frikshëm të ndotjes së ajrit. Por smogu nuk është vetëm problem i metropoleve aziatike.
Bashkimi Europian po përballet gjithmonë e më shumë me pasojat e grimcave të pluhurit, të klasifikuara një rrezik për shëndetin nga OBSH-ja e ndaj të cilave ekspozohen rreth 90% e qytetarëve të bllokut.
Në Paris, së fundmi, për shkak të smogut u vendos ndalimi i qarkullimit të automjeteve për disa ditë. Ndotja e ambjentit, sipas një studimi të BE-së në 2010-n, ishte shkaktare e mbi 400.000 vdekjeve.
Për t’iu kundërvënë kësaj gjendjeje, Komisioni Evropian prezantoi dhjetorin e fundit disa masa, të cilat synojnë të reduktojnë kufijtë e emetimeve të gazrave dhe direktiva për pajisjet e djegies.
Matthias Groote, kryetar i Komisionit të Mjedisit në Parlamentin e BE, pretendon se masat e prezantuara reduktojnë nga njëra anë kufijtë nacionalë maksimalë të emetimeve, por duhet pritur gjatë që këto nisma të japin efekt.
“Kur vendoset një masë, ajo duhet të kthehet në ligj, e kur është direktivë zgjat edhe më tepër derisa ta zbatojnë shtetet anëtare. Kështu që suksesi nuk ndihet në një periudhë legjislative, por në pjesën më të madhe të rasteve do të duhet të kalojnë dekada të tëra përpara se të shihen rezultate konkrete”, ka deklaruar Groote.
Top Channel